Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka folur për programin qeverisës të subjektit që i takon. Isufi përmendi se tanimë AAK-ja e ka programin dhe se është bërë publik.
“Është një program i krijuar nga ekspertët dhe i modifikuar në dhënien e frymës politike. E kemi paraparë në katër shtylla të ndarë, së pari ekonomia pasi vendi gjendet në një krizë për shkak të pandemië, politikat e sigurisë, mirëqenien sociale dhe politikën e jashtme. Këto katër shtylla brenda programit që plotësohen me të gjitha segmentete tjera në Kosovë e kemi parasysh një ngritje të nivelit të qeverisjes së vendit”, u shpreh Isufi në televizionin publik.
Tutje, ai thotë se në Qeverinë Haradinaj ka pasur efekte të jashtëzakonshme në marrjen e vendimeve.
“Në fillim ne do ta kemi fondin për rindërtim ekonomik që do të jetë 1 miliard sepse kemi shtresa të caktuara që janë të goditura. Ndërsa kemi ofruar një program krejtësisht praktik i cili mund të zbatohet”, tha tutje ai.
“Neve na keni thirrë për program, që t’iu ofrojmë qytetarëve ofertën tonë. Shkurorëzimi i ka nxjerrë telashet e veta (VV-LDK)”, shtoi ai.
Isufi potencoi se deklaratat e ndryshme që mund të jepen janë pjesë e parafushatës zgjedhore, por duhet të kuptojnë se qytetarët janë ata që i largojnë e ofrojnë në skenën politike.
“Duhet të ofrojmë program për qytetarët e Kosovës. Deklaratën e Haradinajt që përfaqësuesit e PDK-së që ish-kryetari dhe ish-presidenti Thaçi janë në Hagë, Haradinaj ka theksuar se udhëheqësit e PDK-së nuk janë këtu, prandaj të tjerët mund të jenë të pakujdesshëm në deklaratat e tyre”, deklaroi Isufi.