Ismajli: VV-ja ka blerë vota me para dhe premtime të rrejshme

Kandidati për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli ka deklaruar se kundërkandidati i tij, Alban Hyseni bashkë me partinë e tij, LVV-në, kanë ushtruar presion ndaj kategorive sociale në zgjedhjet e 12 nëntorit.

Në “DPT te Fidani”, Ismajli po ashtu tha se nga informacionet që ai posedon, VV-ja ka shpërndarë një shumë të madhe parash në Gjilan.

Pos tjerash, ai deklaroi se punën që më së miri di ta bëjë VV-ja, është linçimi publik, ku Ismajli pretendon se edhe atij i është bërë e njëjta, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, Ismajli thotë se VV-ja në Gjilan ka blerë vota, sipas tij, edhe financiare, por edhe me premtime të rrejshme e funksione të tjera.

“Nga informatat që ne i kemi, kanë shpërndarë shumë para, jashtëzakonisht shumë iu kanë bërë presion kategorive sociale, e kanë shtruar një lloj presioni te bizneset. Në anën tjetër, unë e kam thënë edhe më herët, këta janë të lindur, dhe të vetmen punë që e bëjnë mirë, e bëjnë punën e linçimit publik”, tha ai.

“Sipas burimeve tona, në lagjet e qytetit kanë shpërndarë para, kanë blerë votë, kanë blerë votë edhe financiare, edhe me premtime të rrejshme, edhe me funksione të ndryshme”, u shpreh Ismajli.