Ismajli: Partia në pushtet po u bën trysni qytetarëve për ta votuar

Arbër Ismajli, kandidati për kryetar nga LDK-ja në Gjilan, ka pretenduar se  Lëvizja Vetëvendosje ka bërë presion ndaj qytetarëve për ta votuar këtë subjekt politik në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në një konferencë për media, ai ka theksuar se rastet i kanë raportuar edhe në Policinë e Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Gjatë gjithë ditës sot kemi pasur informata nga terreni për një trysni të vazhdueshme të zyrtarëve që janë në pushtet ndaj qytetarëve, të cilët i thërrasin dhe i obligojnë të dalin t’i votojnë”.

“Janë raste që i kemi raportuar në polici. Organet e rendit janë të njoftuara për këtë presion psikik që po u bëhet qytetarëve nga nata e mbrëmshme, kur kreu i qeverisë ka zbarkuar në Gjilan. Edhe sot ka vazhduar presioni në çdo lloj forme për ta votuar partinë në pushtet”, ka thënë Ismajli.

I njëjti i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të dalë më shumë në terren dhe të kujdeset për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Gjilan.

Ismajli ka bërë apel edhe tek qytetarët që të dalin për të votuar. /Klankosova.tv

The post Ismajli: Partia në pushtet po u bën trysni qytetarëve për ta votuar appeared first on Klan Kosova.