Ismaili i reagon Kurtit: Skenderajn e UÇK-së, ky njeri nuk do të mund ta poshtërojë dhe nënshtrojë asnjëherë

Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se vizita e Kurtit në Skenderaj një ditë pas vizitës në veri të Mitrovicës nuk është veç dashakeqësi, por është edhe tepër e rrezikshme.

Sipas Ismailit, Kurtit i pengon historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhja e saj me PDK.

“Ngritja e paraleles me vizita në Veri të Mitrovicës dhe në Skenderaj, njërën një ditë pas tjetrës, siç bëri Albin Kurti, nuk është veç dashakeqësi, por është edhe tepër e rrezikshme për të kaluarën dhe për të ardhmen tonë. Është e rrezikshme, qoftë edhe vetëm si simbolikë politike”

Historia është ajo që i pengon Albin Kurtit. “Historia e Drenicës. Historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhja e saj me Partinë Demokratike. Historia e lavdishme e Kosovës. Kjo histori i dhemb Albin Kurtit, sepse ai nuk ka hise në të. E ai i kërkon të gjitha”, ka shkruar Ismaili.

Tutje, ai ka shtuar se Kurti dëshiroi të tërhiqte paralele mes Skenderajt dhe Veriut, t’i krahasonte votuesit tanë me huliganët serbë në Veri.

“Kurti e ka vizituar Skenderajn edhe të tjera herë, dhe kurrë s’ka pasur probleme. Por, sot e vizitoi pas Veriut, me policë më shumë se në Veri. Sepse, dëshiroi të tërhiqte paralele mes Skenderajt dhe Veriut. Ky ishte qëllimi i tij, t’i krahasonte votuesit tanë me ata të Kralevës dhe me huliganët serbë në Veri”

“Skenderajn e UÇK-së, të dhimbjes e krenarisë shqiptare, ky njeri nuk do të mund ta poshtërojë dhe nënshtrojë asnjëherë, sado që të provojë. Përkundrazi. Kushdo që e ka tentuar këtë, e ka poshtëruar historia”, ka shtuar me tej ai./Fokusi.info