Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, ka publikuar një analizë rreth normës së inflacionit në Kosovë, duke e cilësuar atë si një ndër problemet kryesore të ekonomisë në periudhën pas pandemisë.
Jakurti ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë të çmimeve mes vitit bazë 2019 dhe vitit 2025. Sipas të dhënave të prezantuara nga Jakurti, viti 2025 shënon një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës krahasuar me periudhën para pandemisë.
Jakurti gjithashtu hedhi poshtë narrativën se Gjykata Kushtetuese e ndaloi vendosjen e Çmimeve Tavan. Sipas tij, Gjykata e ka rrëzuar ligjin për shkak të mangësive procedurale dhe jo përmbajtjesore. Ai sqaroi se rregullimi i çmimeve do të duhej të bëhej nga një organ i pavarur dhe ligji duhej të harmonizohej me legjislacionin ekzistues.
Postimi i Jakurtit:
Pas BPV-së, norma e inflacionit është një ndër indikatorët kryesorë makroekonomikë. Si shumë vende të tjera në botë, për shumë vite Kosova nuk ka pasur ndonjë problem të theksuar me çmimet e konsumit. Por periudha post-pandemike e bëri inflacionin një ndër problemet kryesore të ekonomisë.
Grafiku më poshtë paraqet ndryshimin e çmimeve gjatë periudhës 2008–2025, me bazë vitin 2019. Për krahasim, pesë vite më herët, në vitin 2014, të gjitha çmimet ishin mesatarisht 5% më të ulëta se në vitin 2019, ndërsa çmimet e ushqimit dhe pijeve alkoolike ishin 8% më të ulëta.
Në vitin 2025, çmimet janë mesatarisht 28% më të larta se në vitin 2019. Ndërsa çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike janë 44% më të larta, e çmimet e rrymës, gazit dhe lëndëve djegëse janë rritur për 35%.
Pse kemi rritje të çmimeve në Kosovë gjatë kësaj periudhe? Bëhet fjalë për një kombinim të faktorëve të jashtëm (importi) dhe faktorëve të brendshëm. Për inflacionin e importuar, nuk kemi pasur shumë çfarë të bëjmë.
Tek faktorët e brendshëm duhet t’i theksojmë keqpërdorimet e tregtarëve me çmime, por jo vetëm. Rritja e çmimit të energjisë elektrike e ka rritur koston e prodhimit, gjë që më pas reflekton në çmimet e tregut.
Dhe, për fund, shpjegimi se Gjykata Kushtetuese nuk lejon vendosjen e çmimeve tavan është i pavërtetë. Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar ligjin me arsyetimin se: (i) një rregullim i tillë do të duhej të bëhej nga një organ i pavarur (të cilin Qeveria do të mund ta themelonte), dhe (ii) duhet harmonizim i këtij ligji me disa ligje të tjera. Pra, po t’kishte qenë projektligji më i mirë, çmimet tavan tash do t’ishin histori.

- Burimi: Edison Jakurti, Facebook.











