Ish-zëvendëspresidenti amerikan Dick Cheney ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare

Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dick Cheney, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare, sipas një deklarate të bërë publike nga familja e tij.

Cheney ishte pjesë e administratës republikane të ish-presidentit George W. Bush, ku shërbeu si nënpresident nga viti 2001 deri në vitin 2009. Ai konsiderohet një nga figurat qendrore të pushtimit të Irakut në vitin 2003 nga SHBA dhe aleatët e saj, si dhe një nga zërat më të fuqishëm të “luftës kundër terrorizmit” pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Para kësaj periudhe, Cheney kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë amerikane. Ai shërbeu si sekretar i Mbrojtjes gjatë presidencës së George H. W. Bush (1989–1993), ndërsa në vitet 1970 ishte shef i kabinetit në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Gerald Ford. Për dhjetë vjet ai ka qenë gjithashtu anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Përveç karrierës politike, Cheney kishte një përvojë të gjatë edhe në sektorin privat, duke qenë kryetar i kompanisë së mbrojtjes Halliburton. Ai njihej gjithashtu si pasionant i gjuetisë aktivitet gjatë të cilit, në një rast të bujshëm, plagosi aksidentalisht një mik të tij.

Në vitet e fundit, Cheney u përfshi sërish në debatet politike, kur shprehu mbështetjen e tij për kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris, në zgjedhjet e vitit 2024.