Milani pritet t’i nënshtrohet një ndryshimi në stafin teknik, me ish-trajnerin e Juventusit, Thiago Motta, që është bërë emri i fundit që po lidhet me stolin e tyre.
Sipas gazetarit Gianluca Di Marzio, ish-trajneri i Juventusit, Motta, është bërë emri i fundit që është lidhur me ‘Rossonerët’ për sezonin e ardhshëm.
Sergio Conceicao pritet të largohet gjashtë muaj pasi mori drejtimin e kuqezinjve, pas një serie rezultatesh zhgënjyese.
Motta ka fituar reputacion si njëri ndër trajnerët e rinj më të mirë në botë, pasi udhëhoqi Bolognan drejt vendit të pestë në Serie A në sezonin 2023/2024, duke siguruar kështu kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Ai u emërua nga Juventusi verën e kaluar, por u shkarkua pas vetëm 42 ndeshjesh në krye të ‘Zonjës së Vjetër’.
Tani i papunë, tekniku italian është bërë trajneri i fundit që i është bashkuar një liste të gjatë kandidatësh që po monitorohen nga Milani për të zëvendësuar Conceicaon.
Motta nuk është trajneri i vetëm që po përmendet si trajner i ardhshëm i Milanit.
Roberto De Zerbi po ashtu është i etur që të rikthehet në Itali dhe kjo ka kapur syrin e ‘Rossonerëve’, teksa edhe Antonio Conte është përfolur për një largim të mundshëm nga Napoli për të marrë drejtimin e tyre.
Trajneri aktual i Bolognas, Vincenzo Italiano është po ashtu një tjetër emër në radarin e tyre.
Milani do të luajë ndeshjen e fundit në Serie A këtë vikend ndaj Monzas me shpresën për t’u kualifikuar në Evropë sezonin e ardhshëm.