Grupi i të dorëhequrve të Lëvizjes Vetëvendosje do të krijojnë grup të ri parlamentar. Dhjetë deputetë nga ky grup e kanë dërguar këtë javë në administratën e Kuvendit kërkesën për krijimin e një grupi të ri parlamentar, ka mësuar KTV-ja nga burime brenda Kuvendit.
Ata nuk e kanë emëruar grupin e tyre, por e duan ndarjen nga grupi i Vetëvendosjes ku ndodhen aktualisht.
Nëse kjo mbetet lista përfundimtare, Vetëvendosje do të mbetet me 22 deputetë në Kuvend dhe do ta humbasë primatin e grupit më të madh parlamentar.
Kurse, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë se ende kërkesa nuk ka shkuar zyrtarisht në administratën e Kuvendit të Kosovës.
“Lidhur me çështjen e ngritur, në administratë nuk kemi pranuar kërkesë për grup të ri parlamentar. Deri më tash s’ka asnjë kërkesë zyrtare apo diçka për ndarjen e këtij grupi”, ka thënë Krasniqi për Express.
Lista e deputetëve që e kanë bërë kërkesën dhe do të ndahet nga VV-ja është:
1. Visar Ymeri
2. Dardan Molliqaj
3. Dardan Sejdiu
4. Dukagjin Gorani
5. Aida Dërguti
6. Shqipe Pantina
7. Faton Topalli
8. Fisnik Ismaili
9. Driton Caushi
10. Donika Kadaj