,

Ish-shërbëtori i Millosheviqit: Gjykimi i liderëve të UÇK-së është gjykimi i gjithë organizatës

Ish-shërbëtori besnik dhe i ngarkuari për propagandë serbomadhe i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, tani në shërbim të Aleksandar Vuçiqit, Millovan Drecun ka pretenduar se “aktakuza ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Gjykatës Speciale ekskluzivisht është e bazuar në “paraburgime ilegale” dhe se ky është gjykimi i UÇK-së e jo të individëve”.

Ai ka pretenduar për televizionin e regjimit serb “TV Pink” se deklarata e ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, se nuk duhet të gjykohet e gjithë UÇK-ja, por individët, “është deklaratë e vetme që mund të pritet nga diplomatët gjermanë”, transmeton Paparaci.

“Është e rëndësishme që aktakuza të bazohet ekskluzivisht në “ndalime të paligjshme”. Që në fillim të komunikimit tim me Prokurorinë Speciale më kanë thënë se kanë nevojë për paraburgime të paligjshme sepse kështu është mënyra më e lehtë për të vërtetuar lidhjen mes krimeve të kryera dhe autorëve të atyre krimeve”, ka thënë Drecun, duke mos fshehur faktin se Prokuroria Speciale ka bashkëpunuar ngushtë me njerëzit e kriminelit Millosheviq në hartimin e aktakuzës.

Sipas tij, në aktakuzë thuhet se katër të pandehurit kanë qenë pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se në të “kanë marrë pjesë të gjithë nga elita politike dhe ushtarake e deri te vetë ushtarët”.

“Sado që shqiptarët të përpiqen të tregojnë se ky nuk është gjykimi i UÇK-së “terroriste”, ky është pikërisht gjykimi i kësaj organizate “kriminale”. Ajo në aktakuzë cilësohet edhe “si kriminale”. Dhe tani do të vërtetohet, jam absolutisht i sigurt se do të vërtetohet, se janë kryer ato krime të tmerrshme”, ka pretenduar ish-specialisti i Millosheviqit për propagandë antishqiptare.

Related Posts