Ish-presidenti, kritik me drejtimin aktual: Ky grup njerëzish nuk njeh asgjë nga Juventusi

Gjatë një interviste në “Radio Bianconera”, në emisionin “Fuori di Juve”, ish-presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, komentoi situatën aktuale te bardhezinjtë, duke nisur nga merkatoja:
“Derisa të mbyllet çështja Vlahovic, nuk mund të bëhet pjesa tjetër. Sidoqoftë, shumë tifozë prisnin një fushatë blerjesh më të bujshme.

Ka të drejtë Tudor të ankohet, nuk mund ta nisësh fazën përgatitore pa pasur të qartë për shembull situatën e Conceição, që gjithsesi do të ishte një rikthim i këndshëm. Çështja Vlahovic po zvarritet; mund të ishte mbyllur më herët, por nuk duhet të jemi shumë kritikë, dihet si funksionojnë këto negociata”.

Më tej shtoi: “Sa për pjesën tjetër, kemi një menaxhim të ri. Nga sa kam kuptuar, drejtori i përgjithshëm do të ndihmohet nga një drejtor sportiv, që ende nuk është emëruar, dhe një drejtor teknik. Chiellini ynë është në një situatë të komplikuar, të paktën nga jashtë duket ashtu. Ai i raporton Comolli-t, i cili gjithsesi konsultohet me vartësit e tij.

Pra, rrezikojmë që Chiellini, i cili ka njohuri absolute, të gjendet në pozitë të vështirë. Ai është njeriu që kupton më shumë nga të gjithë për futbollin dhe për Juventusin atje brenda. Shoh se është krijuar një grup njerëzish që nuk njohin asgjë nga Juve dhe duhet të marrin vendime. Më duket sikur ka shumë struktura të tepërta. Te Juventusi i dikurshëm punonin vetëm 8 veta, me Boniperti, që arrinte të bënte atë që sot bëjnë tre persona (drejtora)”.

Për sa i përket merkatos, Cobolli Gigli komentoi: “David dhe Sancho nuk mund t’i komentoj, nuk i kam ndjekur. Si tifoz iu besoj vendimeve, shpresoj të jenë të drejta. Juve ka ende mbi supe barrën e 150 milionë eurove të shpenzuara vjet, duhet të rikuperojë të paktën një pjesë.

Pashë një listë të frikshme lojtarësh që duhen shitur, duhet bërë një punë e jashtëzakonshme. Kam dëgjuar se Mbangula do të largohet, Miretti është huazuar për eksperiencë dhe është harruar. Dikur të rinjtë ishin pasuri për Juven, tani janë thjesht mall shkëmbimi”.

The post Ish-presidenti, kritik me drejtimin aktual: Ky grup njerëzish nuk njeh asgjë nga Juventusi appeared first on Telesport.