Ish-opozita kërkon zgjedhje, presidentja evitimin e tyre – Kurti, qeverinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani mblodhi sot në takim liderët e partive politike, një javë pasi Kuvendi s’e votoi qeverinë e propozuar nga Albin Kurti.

Diskutimet, që u zhvilluan në Presidencë për mbi një orë, kishin për qëllim konsultimet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Subjektet ish-opozitare kërkuan zgjedhje të reja, Osmani tha se e ka detyrim që një proces i tillë të evitohet e në anën tjetër mandatari që dështoi, u largua pa folur, transmeton Klankosova.tv

E para e shtetit tha se në takim kishte qëndrime të ndryshme, ku disa prej partive e bënë të qartë se s’ka shumicë parlamentare, ndërsa ai që doli i pari në zgjedhje ia kërkoi presidentes edhe një takim para 5 nëntorit, që është edhe afati kushtetues për vendimmarrje.

Kështu u deklarua Osmani, e cila tha se do të mbetet në kontakt me partitë politike në ditët në vijim, për të parë nëse ekziston mundësia për një marrëveshje, duke e përsëritur disa herë se do të bëjë çmos për të shmangur zgjedhjet.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta: presidentja duhet të bëjë çmos për t’i evituar zgjedhjet. Do t’ju lusim për pak durim, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat për mandatarin e dytë”.

“Kurti ka kërkuar që të më takojë edhe njëherë para se të skadojë afati dhjetëditor. Nëse do të vijnë me propozim apo jo, është çështje e tyre,” shtoi Osmani.

Në rast se kjo bllokadë vazhdon, presidentja tha se vendi mund të kalojë në një krizë të mundshme dhe vendi të mbetet pa buxhet.