Ish-oficeri amerikan, Spencer: Plani amerikan për Gazën ngjan me misionin e UNMIK-ut në Kosovë

Ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump nxjerr përpara një plan të ri paqeje për Gazën, Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një draft-rezolutë për krijimin e një misioni ndërkombëtar stabilizues nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori i SHBA në OKB, Mike Waltz, i ka paraqitur aleatëve një tekst drafti që parashikon autorizimin e një force sigurie me mandat dyvjeçar për të garantuar paqen dhe për të mbështetur rindërtimin pas konfliktit. Drafti i rezolutës, sipas raportimeve të “Reuters” dhe “Associated Press”, i jep kësaj force të drejtën të përdorë “të gjitha mjetet e nevojshme” për të siguruar Gazën, mbrojtur civilët dhe për të nisur procesin e çmilitarizimit të grupeve të armatosura, sapo të japë fund përleshjet e mëdha.

Plani përfshin gjithashtu krijimin e një “Bordi të Paqes” tranzitor, i cili do të punojë me Egjiptin, Izraelin dhe një forcë policore palestineze të verifikuar.

Uashingtoni ka përjashtuar dërgimin e trupave luftarake amerikane, por po fton vende me shumicë myslimane – përfshirë Indonezinë, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë – që të kontribuojnë me personel. Izraeli ka bërë të ditur se nuk do të pranojë praninë e trupave turke pranë kufirit të tij. Në një zhvillim të rrallë diplomatik, në diskutimet mori pjesë edhe Autoriteti Palestinez; në planin amerikan parashikohet që, pas reformave të caktuara, kompetencat të rikthehen pjesërisht te ky institucion — propozim që Izraeli e kundërshton, raporton “Axios”.

Në një intervistë për Fox News Digital, John Spencer – oficer në pension i ushtrisë amerikane dhe drejtues i studimeve për luftën urbane në Institutin Modern të Luftës – tha se koncepti mund të funksionojë vetëm nëse mbështetet në përvoja të suksesshme të mëparshme. “Për Gazën, do të doja që njerëzit të mendonin rastin e Kosovës, jo të Libanit,” theksoi ai, duke nënvizuar tre elementë kyç të suksesit: mandat i qartë, numër i mjaftueshëm trupash dhe autoritet për të vepruar.

Spencer solli si shembull KFOR-in në Kosovë pas fushatës së NATO-s të vitit 1999 — një mision i bazuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, me rreth 50,000 trupa që stabilizuan rajonin, ndanë palët në konflikt dhe ndihmuan rindërtimin e institucioneve vendore.

“Kosova është shembulli më i mirë”, tha ai dhe shtoi se “kishte një mandat të qartë çarmatimi, një koalicion të aftë dhe mjaftueshëm trupa për ta imponuar paqen”.

Ai paralajmëroi se do të duhet durim dhe përkushtim afatgjatë — KFOR mbetet prezente edhe pas më shumë se dy dekadash, megjithëse me prani të reduktuar.

Spencer përmendi edhe Bosnjën dhe Timorin Lindor si shembuj ku forcat ndërkombëtare vepruan me mandate të qarta dhe rezultat pozitiv – ndërsa e kundërta, sipas tij, ishte misioni i OKB-së në Liban (UNIFIL), që u shënuar si shembull i dështimit për shkak të mungesës së autoritetit për çmilitarizim.

Eksperti sugjeron një strategji “njollash boje” (inkblot), që nënkupton sigurimin dhe stabilizimin e zonave të pastruara ndërsa luftime vazhdojnë në pjesë të tjera – duke krijuar “zona të sigurta” ku forcat ndërkombëtare do të lehtësonin shpërndarjen e ndihmave humanitare, çminimin dhe rikthimin e rendit. Një pjesë e rëndësishme, shton ai, është t’u ofrohet popullatës një vizion i qartë për jetën pas Hamasit.

Rreth 200 pjesëtarë amerikanë ndodhen tashmë në terren në një qendër bashkërendimi civil-ushtarak në Izrael, që merret me logjistikën dhe planifikimin e fazës tranzitore; ata mbështesin koordinimin e ndihmave dhe rindërtimin pa u përfshirë në luftime.

Spencer paralajmëroi se misioni do të përballet me dezinformata dhe kundërshtime nga aktorë që nuk duan paqe, dhe se duhet parashikuar që në fillim mënyra se si do të minohet përpjekja, veçanërisht në internet.

Një tjetër theks i Spencer ishte ndërtimi paralel i kapaciteteve vendore: trajnimi i një force policore palestineze të verifikuar dhe formimi i një ekipi qeverisës lokal, që do të krijonte legjitimitetin e nevojshëm për tranzicionin.

Plani amerikan po përpiqet të balancojë kërkesën për një mision ndërkombëtar efektiv me ndjeshmëritë rajonale dhe kundërshtimet e Izraelit. Nëse do të miratohet dhe do të zbatohet, shkalla e angazhimit, përbërja e forcave dhe mandati i qartë do të vendosin nëse modeli i propozuar do të ngjajë më shumë me sukseset e Kosovës e Bosnjës, apo me dështimet e përjetuara në raste të tjera.