Ish-nënkryetarja e Prishtinës reagon pasi i doli emri në planin zhvillimor: Kam kërku me u heq, s’kam punu në të

Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, është ankuar pse emri i saj figuron si kontribuuese në planin zhvillimor të komunës së Prishtinës, për të cilin ajo tha se kishte pasë kundërshti dhe se kishte kërkuar t’i hiqej emri meqë tha se s’ka punuar në të.

Ajo thotë se përveçse s’ka kontribut në këtë projekt, ka kërkuar disa herë që të hiqet nga ky plan, por se kjo kërkesë e saj s’është marrë parasysh.

“Edhe s’ta din punën, edhe t’qet udhëheqëse projekti vend e pa vend..Ky “plan zhvillimor” për Prishtinën 2023–2031 është farsë. Po shitet sot si përpjekje për me kalu në diskutim publik një dokument narrativ, ku nuk i shihet pesha e vërtetë e dëmit në prapavijë me planet tashmë të përfunduara”.

“E kam kërku disa herë me u heqë prej këtij plani – fillimisht nga parimi sepse s’kam punu në të, pastaj sepse s’jam pajtu me drejtimin që ka marrë. Menaxherja e projektit në veçanti duhet ta ketë parasysh kërkesën e përsëritur e që për habinë time, nuk qenka reflektu ende. Me përfshi emra pa kontribu veç pse je në një hierarki është praktikë qesharake”, ka shkruar Sahatçiu.

Ajo tha se dihet e kujt është përgjegjësia dhe kërkoi që të mos jetë bashkautore.

“Përgjegjësia dihet. Mos na ndani nëpër faqe për me lanë përshtypje të bashkëautorësisë e ndarjes së përgjegjësisë. Kishte me qenë nder jetësor me qenë pjesë e dokumenteve që e kthjellin qytetin rrënjësisht. Ky s’është ai rast. Procesi është i kompromituar dhe ky plan nuk bën të del as në diskutim publik, aq më pak në fund të një qeverisje që veç për urbanistikë e zhvillim s’ka me u mbajt në mend kurrë”.

Në shkurt të vitit të kaluar, LDK dhe PDK-në njoftuan për prishjen e koalicionit, në të cilin Sahatçiu shërbeu si nënkryetare e kryeqytetit.