Ish-nënkryetari i Kuvendit, njëherësh njëri ndër deputetët më të vjetër të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një bojkot i tillë.
Haliti u shpreh për “Front Online” se mungesa e tepërt e pozitës çon Kuvendin në shpërbërje.
“Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë. Është përgjegjësi e madhe me i sabotuar seancat dhe mos me i votuar projektligjet. Nga bojkotimi i seancave, parlamenti duhet të shpërndahet”, u shpreh Haliti.
Deputeti Haliti thotë për mazhorancën se janë adoleshentë politik.
Tutje, ai tha se “Vetëvendosja” po e humb elektoratin duke mos u ballafaquar me opozitën.
“Janë akoma adoleshent politik dhe kanë papërgjegjshmëri të madhe pasi po ikin nga ballafaqimi me opozitën e kanë detyrim të përgjigjen para votuesve. VV po humb elektoratin duke mos ju përgjigjë akuzave të opozitës, kanë humbur besimin tek elektorati nga mos zbatimi i premtimeve”, tha Haliti për FrontOnline.