Ish-ministri Reçica: Lëvizja Vetëvendosje po i përdor politikat sociale si karrem fushate

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në një prononcim për Front Online  i ka vlerësuar premtimet për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave për nënat lehonë si propagandë elektorale, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i përdor politikat sociale për qëllime fushate

‘’Premtimet për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave për nënat lehonë janë shndërruar në propagandë të pastër elektorale. Lëvizja Vetëvendosje po i përdor politikat sociale si karrem fushate, pa vizion, pa reformë dhe pa përgjegjësi reale’’, tha Reqica pë Front Online.

Sipas ish ministrit Reqiça, qeveria aktuale ka dështuar të ndërtojë drejtësi sociale, duke u mjaftuar me masa të përkohshme dhe ad hoc, të cilat më shumë kanë shërbyer për menaxhimin e varfërisë sesa për zgjidhjen e saj.

‘’Kjo qeveri nuk ndërtoi drejtësi sociale, ajo thjesht menaxhoi varfërinë përmes masave ad hoc, të përkohshme dhe të kalkuluara vetëm për konsum elektoral’’, tha ish inistri Reqiça.

Reçica tha se paga minimale nuk arrin të mbulojë as shportën bazë të konsumit, pensionistët vazhdojnë të jetojnë nën pragun e dinjitetit, ndërsa nënat lehonë nuk përfitojnë politika serioze që do t’u garantonin siguri sociale, punësim dhe stabilitet afatgjatë për familjet.

Ish-ministri Reqiça, vlerëson se qytetarët kanë nevojë për politika të qëndrueshme ekonomike dhe sociale, e jo për premtime fushate, duke shtuar se paga dinjitoze, pensionet e drejta dhe mirëqenia reale nuk mund të ndërtohen përmes propagandës.

‘’Paga minimale nuk e përballon më as shportën bazë, pensionistët janë lënë të mbijetojnë nën pragun e dinjitetit, ndërsa nënat lehona trajtohen me ndihma simbolike, jo me politika serioze që garantojnë siguri sociale, punësim dhe një të ardhme të qëndrueshme për familjen. Qytetarët nuk kanë nevojë për premtime boshe në kohë fushate por për paga dinjitoze, pensione të drejta dhe politika që u shërbejnë njerëzve, jo propagandës’’, deklaron Reqiça.

Reçica e sheh procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si një moment vendimtar për të vlerësuar performancën qeverisëse dhe për të ndëshkuar dështimet, me synimin për rikthimin e dinjitetit dhe drejtësisë sociale për qytetarët.

‘’Më 28 dhjetor është momenti për të mos e shpërblyer dështimin, por për ta ndëshkuar atë. Është dita për t’i thënë mjaft mashtrimit, për të rikthyer dinjitetin dhe drejtësinë sociale, dhe për të ndërtuar një mirëqenie reale për çdo familje’’, tha ish-ministri Reqiça për Front Online.