Ish-kryetari i KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka komentuar lajmet se KEK-u nuk është duke prodhuar energji elektrike.
Ai ka thënë se Kosovës kjo do t’i kushtojë afërsisht 2.5 milionë euro në ditë vetëm për importin e energjisë elektrike.
Mehmeti ka vlerësuar se mbi këtë llogaritje, për tre apo katër muaj, çmimi i importit do të barazohej me koston e ndërtimit të një termocentrali të ri si Kosova e re me 500 megavat energji elektrike.
“Në një ditë si kjo, pa prodhim vendor të mjaftueshëm, Kosovës i kushton afërsisht 2.5 milionë euro vetëm për importin e energjisë në ditë. Dhjetë ditë të tilla përkthehen në një fushë solare prej 50 MW të humbur”, ka vlerësuar Mehmeti.
“Njëzet ditë si kjo janë sa investimi për një fushë solare prej 100 MW. Ndërsa tre apo katër muaj e pak ditë me këtë ritëm, barazohet me koston e ndërtimit të një termocentrali të ri si TC Kosova e Re 500 MW.”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjitha këto mund të ishin investime konkrete, publike apo private, që do t’i shërbenin drejtpërdrejt qytetarit të Kosovës për më shumë siguri, më pak varësi dhe çmime më të qëndrueshme.
“Filli i lemshit është humbur prej kohësh sot po përballemi me pasojat”, ka vlerësuar Mehmeti.
“* Konsum i nje dite eshte thjesht parashikim i bazuar ne statistika te muajit te kaluar/ Mesatre vjetore në një ditë. * Çmimi i bazuar Burse pa llogaritur çmimet e blerjeve jasht saj”, ka thënë ai.