Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti , i ka reaguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit ka folur për çështjen e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, duke ua hedhur fajin partive ish-opozitare për të cilat thotë se “nuk dëshirojnë ta pranojnë një nismë legjislative të nisur nga ana e qeverisë”.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook deklarimin e Osmanit e ka quajtur deklarim për keqardhje.
“Deklarimi i sotëm i të parës së shtetit lidhur me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës është për keqardhje. Ajo e di se për tu shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet!”.
“Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion tek partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit”.
Ish-kryeministri i Kosovës i ka kujtuar edhe vendimin e Gjykatës Supreme të parës së shtetit.
“Në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve”, ka shkruar ai.
Sipas tij, “kaq për moralin politik të saj. Mjerim”.








