Erzen Uka, ish-komandoja i arrestuar si person i dyshuar për terrorizëm, ka kërcënuar gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beci në sallën e gjyqit.
Sot ai kishte dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Shqipëri për t’u njohur me masën e sigurisë. Megjithatë, seanca nuk ka kaluar pa tensione. Erzen Uka lëshoi deklarata kërcënuese ndaj gjyqtarit dhe prokurorit të çështjes, pasi ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”.
Ish-komandoja nga Kruja e Shqipërisë u arrestua dy ditë më parë nga Zyra e Antiterrorit në Policinë e Shtetit pasi dyshohet si person me prirje radikale dhe që ka nxitur urrejtje me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Prej dy vitesh ai hetohej nga Krimet e Rënda. I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
Në kanalin personal në YouTube ai ka postuar video ku shihen dy djemtë e tij të mitur, duke u stërvitur. 29-vjeçari është i divorcuar dhe ka qenë i proceduar me parë për “dhunë në familje”. Pas divorcit kujdestarinë e dy fëmijëve e fitoi ish-bashkëshortja, por vendimi i Gjykatës nuk u zbatua.