Ish-këshilltari i Nagavcit me akuza të rënda për korrupsion, çfarë e pret Çekun në Ministrinë e Arsimit

Ish-këshilltari i Arbërie Nagavcit, Valdrin Dervishaj, i ka drejtuar një mesazh publik ministrit të ri të Arsimit, Hajrulla Çeku, duke i kërkuar reforma rrënjësore dhe “pastrim” të administratës nga personat me probleme me ligjin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishaj ka pikturuar një gjendje alarmante brenda dikasterit të arsimit, duke pretenduar se pozitat kyçe drejtuese janë të mbingarkuara me aktakuza për korrupsion.

Dervishaj ka numëruar me radhë zyrtarët që, sipas tij, përballen me drejtësinë.

“Mirëmengjes Ministër Hajrulla Çeku. Sot, kur shkoni në zyrë do te pret një sekretare në aktakuzë për korrupsion 4 milion euro. Ky është një nga shumë raste në proces. Pastaj të pret prokurim me aktakuzë për korrupsion. Të pret udheheqës i financave me aktakuzë për korrupsion Të pret ekzekutim me aktakuzë. Pra, veç në recepcion s’ka aktakuzë, literalisht”, shkruan ai.

Ai i ka bërë thirrje ministrit që ta nisë punën mbarë duke larguar njerëzit që dyshohen për keqpërdorime, duke përmendur raste specifike si transferimi i 400,000 eurove në llogari biznesesh dhe blerje të shportave me çmime prej 200 eurosh.

“I dashtun ministër, duke të njohur për guxim dhe parime, e kam një lutje për ty. Nise punën mbarë. Mbarësi s’ka me njerëz me aktakuzë për korrupsion që ia kanë transferu biznesit 400,000€ në llogari për qef dhe kanë ble shportë rreth 200€ (lexo shportë, jo kontejner)”.

Dervishaj më tej ka listuar disa surgjerime, nga siç thotë “përvoja e hidhur aty”.

“Zgjidh një sekretar/e me integritet; Urgjent ligji për tekste, ky proces duhet të shtetëzohet; Një audit rrenjësor prej rregullores së brendshme deri te ndërtimi i çerdheve. Ka shumë dyshime për keqpërdorim në këtë proces; Vazhdim i procesit për licencim/testim për mësimdhënës pa vonesë; Zbatim strikt i formulës së financimit për Universitetet publike dhe stute të reja sipas modelit të UP-së brenda 6 muajsh; Dixhitalizim masiv i proceseve me AShI; Rishikim i kurrikulës paraprirë me një hulumtim ndërkombëtar; Vazhdim i mbështetjes për mesim dual (20-30% të buxhetit shtetëror, zgjedhja e drejtorit të autoriteti kombetar i kualifikimeve. Hiqe maturën dhe testin e arritshmërisë. Dy procese të kota me kosto të lartë; Masivisht kthim i truritë në UP, një skemë e propozuar nga KM; Formo një ekip të jashtëm (mundësisht ndërkombëtar të udhëhequr nga një ekspert i kalibrit të Visarit) për të rishiku të gjitha investimet kapitale; Një sistem nacional i centralizuar për LMS dhe SMP që përfshinë nga çerdhja në universitet; Për me i bë të gjitha këto, të duhet një ekip i shkelqyer. Prandaj, fillo nga e para”.

“Këto do të nxjerrin një nga ministrat më të suksesshëm. A e dini pse? Sepse këto asnjë nga ministrat nuk pati guxim ta bëjë”, thekson ai.