“Ish-këshilltar i Kurtit ka qenë”, përplasje për ekspozitën e Gashit, Zemaj – Kollçakut: Për keqardhje!

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione ka mbajtur sot mbledhjen, ku ka qenë i pranishëm edhe Andin Hoti, Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Në këtë takim pati përplasje mes kryetares Fatmire Mulhaxha – Kollçaku dhe anëtarit të këtij komisioni, deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, kur ky i fundit foli për çështjen e ekspozitës skandaloze të Shkëlzen Gashit.

Ishte Hoti, ai i cili fillimisht tha që nuk ka qenë e drejtë që dikasterit të tij i është drejtuar gishti për këtë situatë, duke thënë se s’ka përgjegjësi dhe se ka bërë thirrje menjëherë që të ndërmerren veprime nga Prokuroria.

Pas deklaratës së tij, Zemaj ishte ai që tha se Hoti nuk e ka detyrë vetëm të reagojë, por edhe të marrin masa ekzekutive.

“Ju keni mandat ekzekutiv, por masa politike – ekzekutive, dhe për me kërku financim nga taksat dhe qëllimin me evidentu, juve ua kanë delegu këtë kompetencë. “

Këtu, ndërhyri Mulhaxha – Kollçaku, e cila i tha: “Mos vazhdo me bo politikë, të lutem.”

Deputeti i LDK-së, iu kundërpërgjigj menjëherë.

“Nuk ka politikë këtu kryetare, nuk ka politikë. Ka fakte, ka ekszitu një ekspozitë dhe na kërkojmë mos me pasë pasoja ma shumë. “

Megjithatë, kryetarja e Komisionit ia përmendi lejen e komunës për ekspozitë.

“A ke kërku përgjigje institucionale nga kryetari i Komunës për lejen për vendosje të ekspozitës dhe anëtari i juaj i kryesisë, që e ka votu buxhetin dhe arsyetohet se nuk e ka ditë kush është autori.”

Zemaj iu drejtua duke i thënë se: “Qaq shumë po i banalizon temat, sa temat historike i ktheni në çështje politike. Është për keqardhje.”.

Mulhaxha – Kollcaku: Për keqardhje je ti, që po bën politikë me këto tema, po e ndërlidh aty ku s’duhet, se këshilltar i kujt ka qenë. Ju doni me hedhë gurin. Një njeri që në kohë është shkarku. [I referohet Shkëlzen Gashit].

Zemaj ia ktheu se “Këshilltar i kujt ka qenë?”, por deputetja e VV-së nuk u përgjigj.