Të dyshuarit për vrasjen e tre personave në Gjilan, Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, ende nuk janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Gjersa hetimet kanë hyrë në javën e dytë të tyre, njohës të këtyre çështjeve thonë se Shkodra i takon kategorisë së personave të përgatitur dhe mund të ketë gjetur një strehim në Serbi. Ata udhëzojnë që Policia e Kosovës të bashkëpunojë me EULEX-in.
Është bërë një javë qëkur në Gjilan ndodhi një vrasje e trefishtë pas disa gjuajtjeve me armë që dyshohen se erdhën si shkak i fajdeve.
Të dyshuarit kryesor për këtë rast, Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Engjulli dhe Edonisi nuk kanë arritur të lokalizohen ende nga Policia e Kosovës ani pse janë në kërkim tash e 7 ditë.
Të dielën, Drejtoria e Policisë në Gjilan ka deklaruar se po punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Por, për njohës të çështjeve ku të përfshirë janë persona të kësaj natyre, lokalizimi i tyre s’është i lehtë.
“S’është e lehtë të gjendet persona të tillë sepse pas kryerjes së aktit, ata përgatitin terrenin dhe i shmangen komunikimit, jetojnë në situata tejet sekrete dhe për këtë paraqet vështirësi edhe tek organet e rendit. Me punë operative, me persona të caktuar zyrtar që nuk janë në uniformë punojnë në terren, komunikojnë për të ardhur deri te mundësia e gjetjes nëse janë brenda territorit”, ka thënë për Tv Dukagjinin Emrush Kastrati, ish-gjyqtar.
Me hetimet që po hyjnë në javën e dytë, Kastrati thotë se nuk duhet përjashtuar mundësia që të njëjtit të kenë kaluar në Serbi, për ç’ka, Policia e Kosovës, sipas tij, duhet të ndërmarrë veprime shtesë.
“Realisht dhe në formë potenciale ekziston mundësia që për shkak të pozitës gjeografike të Gjilanit dhe pjesës së Serbisë ku jeton komuniteti shqiptar, të njëjtit të kenë kaluar andej mirëpo, në rast se gjinden atje, mundësitë e bashkëpunimit me Serbinë janë të pamundshme sepse Serbia nuk bashkëpunon juridikisht me organet e Kosovës por mund të kryhet përmes EULEX për aq kohë sa ka vullnet edhe Serbia”, ka thënë Emrush Kastrati, ish-gjyqtar.
Për ish-hetues policorë, kërkimi i ndihmës nga EULEX-i mbetet mundësia e vetme.
“Meqenëse Policia e Kosovës dhe e Serbisë nuk kanë një bashkëpunim direkt dhe ky bashkëpunim bëhet përmes disa strukturave të Policisë së UMNIKU-t apo edhe Policisë së EULEX që të bahet një trysni përmes EULEX ose BE Serbisë, që t’i arrestojë dhe t’i ekstradojë në Kosovë. Përndryshe, mundësitë janë të kufizuara”, ka thënë Hilmi Canolli, ish-hetues në Policinë e Kosovës.
Mefail Shkodra ishte i dënuar nga Gjykata e Gjilanit për armëmbajtje pa leje, vjedhje e shërbimeve komunale e për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
I njëjti së bashku me djalin e tij, i kërkuar gjithashtu, ishin arrestuar e më pas liruar gjatë vitit të kaluar për veprën penale të fajdes e detyrimit, për shkak se kishin paguar dorëzani.
The post Ish-hetuesit: Të dyshuarit për vra*sjen në Gjilan mund të kenë kaluar në Serbi, EULEX mund të ndihmojë appeared first on Kosovapost.net.