Ish-përfaqësuesi i kombëtares gjermane Mesut Özil, i pensionuar nga fusha e futbollit që nga viti 2023, u zgjodh të dielën në kryesinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi kjo forcë politike.
Ish-playmakeri i Real Madrid dhe Arsenal, i cili fitoi Kupën e Botës 2014 me Gjermaninë, u bë anëtar i këshillit qendror vendimmarrës të AKP-së në një kongres në Ankara, gjatë të cilit Erdogan u rizgjodh për herë të nëntë si kreu i partisë islamike-konservatore në pushtet që nga viti 2002.
Mesut Özil, i cili e përfundoi karrierën e tij për klube në Stamboll, nuk e fshehu mbështetjen e tij për kreun e shtetit turk, të cilin e kishte zgjedhur si nun në vitin 2019 në dasmën e tij me Amine Gülse.
Karriera e tij kishte marrë një kthesë një vit më parë pasi ai pozoi me shokun e tij të skuadrës në Mannschaft, Ilkay Gündogan, gjithashtu me origjinë turke, në shoqërinë e presidentit Erdogan, në mes të një fushate për rizgjedhjen e tij.
Fotoja kishte shkaktuar polemika, ndërsa Berlin-i akuzoi Ankaranë për teprime represive dhe e kishte shndërruar Özil në një kok turku për të djathtën ekstreme gjermane, transmeton albanianpost.
Lojtari, i cili kishte hequr dorë nga pasaporta e tij turke pas moshës madhore, dhe ishte konsideruar si një simbol i një Gjermanie multikulturore, i kishte përplasur derën Mannschaft-it pas kësaj, duke akuzuar Federatën Gjermane të Futbollit për racizëm.