Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, ka thënë se shpreson që të ketë dy grupe veprimesh nga bota perëndimore, të cilat do të detyronin Vladimir Putinin e Rusisë të përfundojë luftën në Ukrainë.
“Së pari dhe më kryesorja” sipas tij, është që të ndihmohet Ukraina të bëjë edhe më mirë në vijën e frontit dhe në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore kundër dronëve, raketave e kështu me radhë.
Dhe kjo do të bëhej, vlerëson Petraeus, duke rënë dakord më në fund që Europa të përdorë ekuivalentin prej 200-250 miliardë dollarësh të rezervave të ngrira në bankat evropiane, veçanërisht në Belgjikë, si kolateral për obligacionet Euroclear.
”Mund t’i jepej Ukrainës për t’i mundësuar asaj të bënte më mirë, shumë më mirë përsëri, së bashku me sisteme të tjera armësh, municione e kështu me radhë – duke përfshirë ato që nuk mund t’i prodhojnë vetë për mbrojtjen anti-balistike nga raketat dhe Patriotët – por ata gjithashtu mund të dyfishonin prodhimin e tyre të dronëve. Dhe sigurisht, kjo do t’i mundësonte atyre të zgjidhnin sfidat e tyre fiskale dhe ekonomike për dy ose tre vjet të mira”, ka thënë njeriu i cili komandoi forcat shumëkombëshe në Irak dhe forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, në një intervistë për Corriere della Sera.
Ndërsa grupi i dytë i veprimeve, sipas tij, do të ishte shkatërrimi i ekonomisë së luftës ruse me sanksione të mëtejshme.
“Ekonomia ruse është më e brishtë nga sa mendoj se shumë njerëz e kuptojnë, duke pasur parasysh se fondi i saj i mirëqenies kombëtare pritet të mbarojë vitin e ardhshëm, dhe ky është fondi që është devijuar nga mirëqenia sociale në mundësimin e prodhimit të vazhdueshëm ushtarako-industrial të Rusisë”.
Dhe pastaj, ka shtuar ai, “duke ndjekur mbështetësit e ekonomisë së luftës ruse, ata që blejnë naftën dhe gazin – dhe pastaj edhe ata që mundësojnë ekonominë e luftës ruse në aspektin e çipave, magneteve – dhe shumica e këtyre që vijnë nga Kina në Rusi”.
“Nëse të dyja këto grupe veprimesh do të kryheshin, mendoj se në fakt, Vladimir Putin do të detyrohej të kërkonte një ndërprerje të armiqësive, sepse ai thjesht nuk mund ta vazhdonte luftën”, ka thënë ish-shefi i CIA-s.
Ndërsa në pyetjen se a po na sjellin negociatat aktuale më afër paqes në Ukrainë apo jo, Petraeus ka thënë se “është shumë e vështirë të thuhet në fakt, sepse shumë varet nga gatishmëria e Rusisë për të bërë disa lëshime nga ana e saj, dhe sepse ka shumë gjëra që nuk i dimë”.
“Ajo që dimë është se lista prej 28 pikash është reduktuar në një listë prej 19 pikash për të cilat ka marrëveshje midis SHBA-së dhe Ukrainës, dhe se ka disa tema që duhet të zgjidhen në një bisedë midis dy presidentëve, presidentit (Donald) Trump dhe presidentit (Volodymyr) Zelensky. Nuk kemi shumë qartësi se çfarë mund të jenë të gatshëm të pranojnë rusët”, ka thënë ndër tjerash ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus











