Ish-avokati i Popullit: Specialja duhet të sqarojë pse e ndaloi Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka kërkuar që Gjykata Speciale të shpjegojë vendimin për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Në emisionin FIVE, Jashari ka theksuar se ky vendim mund të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Strasburgut, e cila mund të vlerësojë nëse ky kufizim është në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe të drejtat familjare.

“Kjo është vendimtare në vlerësimet që bën Gjykata Evropiane e Strasburgut, në rast se refuzohet e drejta për të marrë pjesë në një ceremoni varrimi, atëherë është barra e Gjykatës me dhënë shpjegimin  te kufizimi a nuk është e domosdoshme në një shoqëri demokratike. Nëse është bërë një ndalesë e tillë dhe është konsideruar se është në kundërshtim, me standardin se ka qenë e nevojshme që kjo ndalesë të bëhet në shoqëri demokratike shpjegimi i kësaj i takon gjykatës e pse qenka në kundërshtim me këtë standard dhe pse e cenon këtë standard që e ka vu Gjykata e Strasburgut”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka shtuar ky rast nuk ka të bëjë me të drejtën humanitare, por me të drejtat familjare, të cilat mbulohen nga Neni 8 i Konventës Evropiane.

Jashari ka potencuar se praktika e brendshme në Kosovë lejon që të burgosurit ose të paraburgosurit të marrin pjesë në ceremoni varrimi, duke kërkuar sqarimin e këtij përjashtimi nga Gjykata Speciale.

“Sistemi ynë i brendshëm, kemi një praktik të mire të themeluar, të burgosurit ose të paraburgosurit i lejohet me përcjellje me kushte të marrin pjesë në ceremoni të varrimit. Një situatë kur bëhet një përjashtim veçohet prej standardit të përgjithshëm atëherë siç duket kemi një problem, sidoqoftë problemi më i madh kur kemi një kufizim ose një ndalesë, është ajo që ka thënë edhe Gjykata Evropiane, është detyrë e shtetit ose në këtë rast e Gjykatës Speciale, Dhomave të Specializuara për të dhënë një sqarim se pse është marrë ky vendim”, ka deklaruar Jashari.