Ish-arkëtari i BIK-ut ushtron kallëzim penal ndaj myftiut Naim Tërnava dhe disa të tjerëve

Ish-arkëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Bahri Rexha, bashkë me avokatin e tij, Kastriot Feka, kanë dorëzuar të hënën kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kallëzimi penal është paraqitur kundër: Hetem Sopjanit- kryetar i Këshillit të BIK në Prishtinë, myftiut Naim Tërnava- Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, Idriz Xhigollit- zëvendëskryeimam i BIK, Pajazit Tërnavës- kryetar i BIK në Fushë-Kosovë, Adhurim Nuredinit, Përparim Bytyqit dhe Granit Berishës.

Avokati Feka ka bërë të ditur se kallëzimi penal u dorëzua lidhur me keqpërdorimet që janë kryer në BIK, veçanërisht zbardhjen e fakteve për 166 mijë eurot e zhdukura, për të cilin rast raportoi “Betimi për Drejtësi” më 22 mars, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kallëzimit penal, Hetem Sopjani dyshohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Ushtrim ndikimi”, Naim Tërnava dhe Idriz Xhigoli dyshohen për “Ushtrim ndikimi”, kurse Pajazit Tërnava për “Ushtrim ndikimi”, ndërsa Adhurim Nuredini, Përparim Bytyqi dhe Granit Berisha për “Deklarim të rremë”.

Në anën tjetër, para mediave, Rexha tha se bashkë me avokatin e tij paraqiti kallëzim penal për të gjitha keqpërdorimet që kanë ndodhur në BIK, ndërsa shtoi se nuk ndihet aspak përgjegjës.

“Dhe për të gjitha akuzat që më janë drejtuar mua për keqpërdorim. Nuk ndihem asnjëherë përgjegjës përderisa të gjitha të hyrat dhe të dalat e Këshillit kanë qenë me urdhër, lejen dhe nënshkrimin e kryetarit Hetem Sopjani”, tha Rexha.

Çka thuhet në kallëzimin penal të ushtruar nga Rexha?

Fillimisht, në pikën e parë të kallëzimit thuhet se Sopjani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, nga viti 2020 e deri më 25 maj 2023 duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar ka kërkuar nga ish-arkëtari- i dëmtuari Rehxa që përmes dëftesës në emër të ndihmës financiare t’i bartë shumën prej 5 mijë e 338 euro e 7 euro centë Sh.H-B.

Kjo shumë, thuhet se ka pasur t’i dorëzohet Sh.H-B., duke u bazuar në atë se është gruaja e shokut të tij dhe se me autorizimin e vetë Sopjanit e njëjta shumë i është paguar asaj.

Gjithnjë sipas kallëzimit, thuhet se me vendimin e 16 dhjetorit 2020 është paguar dy herë edhe A.I., dhe atë për ndihmë financiare për intervenim mjekësor në shumën prej 4 mijë e 43 euro.

Prandaj, Sopjani sipas kallëzimit penal, Sopjani dyshohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim ndikimi”.

Në pikën dy të kallëzimit, thuhet se Naim Tërnava në cilësinë e kryetarit të BIK dhe Idriz Xhigolli, zëvendës-kryeimam i BIK, prej vitit 2020 e deri më 25 maj 2023, me dashje dhe drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar përfitime pasurore për vete, kjo thuhet duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e ish-personit zyrtar, të dëmtuarit Rexha.

Gjithnjë sipas kallëzimit penal, Xhigolli me datë të pacaktuar kishte ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë tek Rexha duke e detyruar të dëmtuarin të japë shumën prej 20 mijë euro nga arka e BIK, duke i thënë se kishte urdhër nga myftiu Naim Tërnava. Gjithashtu, thuhet se më 2 gusht 2022 në emer të myftiut Tërnava kishte kërkuar shumën tjetër prej 15 mijë euro.

Prandaj, Naim Tërnava dyshohet sipas kallëzimit penal për ushtrim ndikimi të tërthortë, ndërkaq Xhigolli për ushtrim ndikimi të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e të dëmtuarit, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas pikës së tretë të kallëzimit penal, thuhet se Pajazit Tërnava në cilësinë e kryetarit të BIK në Fushë-Kosovë dhe njëheri nip/djalë i vëllait të myftiut Naim Tërnava, prej vitit 2020 e deri më 25 maj 2023 me dashje dhe drejtpërdrejt ka pranuar dobi pasurore për vete. Krejt kjo, thuhet duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, të dëmtuarit Rexha.

Pajazit Tërnava, thuhet sipas kallëzimit penal se ka kërkuar nga Rexha dhe marrë: një herë 5 mijë euro, një herë 3mijë euro dhe disa herë të tjera shumë të vogla nga 500 ose 300 euro, varësisht nga rasti.

Prandaj, Pajazit Tërnva sipas kallëzimit penal dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi”.

Dhe në pikën e katërt të kallëzimit penal, janë kallëzuar Adhurim Nuredini, Përparim Bytyqi dhe Granit Berisha nën dyshimin se kanë dhënë deklarata të rrejshme gjatë procedurës administrative pranë Këshillit të BIK.

Andaj, të njëjtit dyshohet për veprën penale “Deklarim i rremë”.

Ndryshe, Kastriot Feka, avokat i ish-arkëtarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Bahri Rexha, mbrëmjen e së dieles ka hedhur dyshime nëse familjarë të krerëve të BIK-ut kanë përfituar nga avullimi i 166 mijë eurove.

Në një reagim përmes rrjetit social “Facebook”, Feka ka thënë se për këtë duhet dhënë llogari nga kryetari i Këshillit të BIK në Prishtinë, Hetem Sopjani, që sipas tij ka qenë nënshkrues i çdo fature.

Ndryshe, anëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Bahri Sejdiu, në një konferencë për medie të dielen tha se deklaratat e ish-arkëtarit Bahri Rexha janë të pabazuara dhe nuk mbështeten në prova dhe fakte konkrete.

Sejdiu ftoi organet kompetente ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe profesionalizëm që të ndërmerren masat ligjore dhe të zbardhet e vërteta.

“Ritheksojmë se çdo deklaratë e bërë nga ish-arkëtari Rexha është e pabazuar dhe nuk mbështetet në asnjë provë ligjore”, tha Sejdiu.

Ndërsa, avokati i Këshillit të BIK në Prishtinë, Florim Shefqeti tha ndaj ish-arkëtarit që dyshohet se keqpërdori është paraqitur padi dhe kallëzim penal.

Në atë konferencë, Sejdiu tha se llogaritë tjera bankare të cilat i posedon Këshilli në Prishtinë janë në vazhdën e aktiviteteve për hetim.

“Kartelat tjera bankare janë në vazhdën e aktiviteteve për hetim dhe nuk janë futur në hetim të gjitha”, tha Sejdiu.

Këtë deklarim, Sejdiu e bëri pasi u pyet nga “Betimi për Drejtësi”, nëse në raportin për hetimin e brendshëm financiar në Bashkësinë Islame të Kosovës përfshihen të gjitha llogaritë.

“Betimi për Drejtësi” të shtunën (22 mars 2025) transmetoi emisionin “Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë?”, i cili flet mbi dyshimet për keqpërdorim të qindra mijëra eurove në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë.

Në hulumtim tregohet se për tre vjet me radhë të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur.

Nga viti 2020 deri më 2022 paratë e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të. Personit që po i drejtohet gishti t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.

Shuma që BIK pretendon se është përvetësuar nga ish-arkëtari Rexha pretendohet të jetë 166 mijë euro, pasi fillimisht shuma pretendohej të jetë më e lartë.

Si rrjedhojë, Këshilli kishte themeluar një komision në përbërje të personave me njohuri në fushën e financave, i cili kishte kontrolluar faturat për periudhën 2020-2022. Pas këtij analizimi, llogaria doli se mungonin 166 mijë euro.

Ky raport i 6 qershorit 2023, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, pasqyron të gjitha pagesat dhe tërheqjet që dyshohet të jenë bërë nga arka dhe banka, pa nënshkrim të pranuesit të mjeteve apo pa përshkrim. Këto ishin bërë në emër të individëve privat e bizneseve.

Por, Bahri Rexha e mohon t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.

Një pjesë e parave të BIK dyshohet se u keqpërdorën duke lëshuar fatura fiktive. Raporti në vazhdimësi përmend një biznes për furnizim me dërrasa për varrim. Sipas raportit, për tre vjet me radhë kompania ishte paguar mbi 40 mijë euro më shumë.

Por, e vërteta pasqyrohet ndryshe nga bizneset. Biznesi në fjalë përmes një deklarate të dhënë pranë Bashkësisë Islame më 15 qershor 2023 të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thotë të jetë detyruar nga Rexha për t’i dhënë ryshfet në mënyrë që të vazhdohet porositja e dërrasave për varrezat tek ai, ose në të kundërt do t’i ndërpritej bashkëpunimin.

Në deklaratën e dhënë për BIK më 12 qershor 2023 të cilën po ashtu e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Përparim Bytyqi pronar i këtij biznesi, thotë se se biznesi i tij kishte qenë joaktiv, dhe nuk kishte qenë në dijeni të pagesave të bëra në emër të biznesit të tij.

Nën këto dyshime, Rexha fillimisht është suspenduar. Suspendimi është bërë në mars 2023. Ndërsa, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë.

Por, për afër dy vjet, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur të fshehtë për institucionet e drejtësisë këtë vjedhje të pretenduar.

Përveç që Rexha dyshohet për zhdukjen e 166 mijë eurove të sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë dhe të hyrave nga qeratë e lokaleve, edhe kryetari i këshillit, Hetem Sopjani, mund të ketë konsumuar veprën penale “moslajmërim i veprës penale apo kryerësve të tyre”.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvillojë intervistë edhe me kryetarin Sopjani, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur shkresës elektronike, shkrimeve në rrjete sociale a as thirrjeve telefonike. E pas një muaj pritje, kur Sopjani është hasur në rrugë, sërish i shmanget ballafaqimit me argumentet duke e quajtur ndaljen e tij joetike.

Mirëpo, pas gjithë këtyre, Rexha ka hedhur akuza të tjera ndaj drejtim të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Sopjani. Rexha pretendon se në vitin 2022 për motive personale myftiu Tërnava t’i ketë kërkuar njëherë 20 mijë e më pas 15 mijë euro para cash nga arka e Këshillit të BIK në Prishtinë.