Në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të mërkurën ka shpërthyer vetura private e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.
Agreta Gecaj-Gashi, mjeke në QKUK, ka thënë se ky është rasti i tretë i këtij lloji që ndodh. Ajo ka thënë se sa ka qenë në bordin e SHSKUK-së ka hasur në shkelje e keqpërdorime të shumta, por se nuk është ndarmarrë diçka.
Shkeljet, ka shtuar ajo, janë deponuar në prokurori në mbi 500 faqe material. Por, siç ka thënë Gecaj-Gashi, institucionet nuk kanë vepruar dhe tash pasojë e mosveprimit është frikësimi i Hajdarit.
Postimi i plotë i Gecaj-Gashit:
“Kjo ngjarje kriminale në oborrin e QKUK po përsëritet për të tretën herë. Dy vite më parë shefit te Auditimit Musa Vitija iu dogjën dy vetura radhazi, sot drejtorit të QKUK Osman Hajdari. Sa herë qe prishet simbioza e krimit dhe klientelizmi në ShSKUK- QKUK, aktivizohen disa portale që nuk e kanë asnjë kredibilitet gazetaresk përveç shkrimeve me porosi, e nëse ato nuk bëjnë punë aktivizohen bombat për të ngjallur frike e trishtim në mesin tonë. Me auditimet e Musa Vitisë, për 3 vite sa kam qenë në bordin e ShSKUK, kemi hasur shkelje e keqpërdorime të shumta në vlera marramendëse. Diku mbi 500 faqe material i kemi deponuar zyrtarisht në prokurori, a e dini cili është rezultati, NJË ZERO E MADHE, asnjë veprim, as edhe një. E si rezultat i ketij mos veprimi nga ana e organeve të drejtësisë, edhe për deponimet tona edhe për rastin e djegies së veturave të Musa Vitise, sot ndodh vepra kriminale e radhës, shpërthen vetura e drejtorit te QKUK Osman Hajdari. Musa Vitia u detyrua te largohej bashke me familje nga shteti, sepse shteti yne nuk arriti t’i ofrojë siguri, Osman Hajdari nuk e paska në mend të tërhiqet, uroj që shteti ta mbrojë. Po ashtu uroj që të ketë kohezion në mes strukturave udhëheqëse MSh-Bordi i ShSKUK- ShSKUK- QKUK. Ky kohezion fatkeqësisht ka një kohë që po mungon dhe kjo është arsyeja më e madhe pse aktivizohen rrjetet kriminale”.