Ish-ambasadori holandez: Masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë, s’duhej të vendoseshin kurrë

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë.

Ai ka potencuar se këto masa nuk do të duhej të vendoseshin asnjëherë.

“Masat evropiane ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë, sepse ato nuk është dashur të vendoseshin që në fillim. Nuk ka asnjë arsye për to. Arsyeja e pretenduar është moszbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por Serbia nuk ka zbatuar asgjë.

Pse duhet që ju të ndëshkoheni për këtë? Dhe ata dëshirojnë që ju ta bëni hapin e parë. Dhe sigurisht, Serbia nuk do të jep asgjë në këmbim. Prandaj, Serbia duhet të bëjë disa hapa të parë, pastaj ndoshta mund të bëni ju”, ka potencuar ai në një intervistë për KP.

E heqjen e masave po e kërkojnë në vazhdimësi edhe krerët e institucioneve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka thënë se është koha që “të largohen masat e padrejta” derisa kërkoi nga Bashkimi Evropian “përgjigje të qartë karshi qasjes destabilizuese të Serbisë në rajon”.

Ndërkaq, ish-ambasadori holandez foli edhe përsituatën e sigurisë në rajon, ku tha se trupat e KFOR-it janë “jashtëzakonisht të rëndësishme”.

“[Trupat e KFOR-it] janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Në Bosnje ekziston vetëm EUFOR-i, i cili nuk ka të njëjtin mandat si KFOR-i, fatkeqësisht, sepse nëse EUFOR-i do të kishte të njëjtin mandat si KFOR-i, do të mund të bënte më shumë kundër Dodikut. Prandaj, Kosova duhet të jetë shumë e kënaqur me praninë e KFOR-it”, ka deklaruar ish-ambasadori holandez.

Derisa përmend situatën në Serbi ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përballet me protesta masive, Bosch thotë se ai mund të përpiqet të krijojë probleme diku tjetër në mënyrë që të shpërqendrojë vëmendjen nga ngjarjet në Beograd.

“Prandaj, vigjilenca është shumë e rëndësishme, por edhe KFOR-i duket se është mjaft vigjilent”, thotë ish-diplomati holandez në një intervistë nga Haga.