Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se gjuha e zbutur e akterëve të Lëvizjes Vetëvendosjes është strategji e fushatës së tyre.
Ai në një intervistë për Periskopin ka thënë se qëllimet e VV’së janë të njëjta dhe kërkesa e tyre për ta qeverisur vendin vetëm, është e frikshme.
“Ndryshimi është në strategji të fushatës. S’ka të bëjë fare me sjelljen pas fushatës, sepse qëllimet janë të njëjtat, kurse veglat më perfide. Është e frikshme kur një subjekt politik kërkon dhe synon për ta qeverisur vet Kosovën. Në fakt për ta dhunuar. Dhe aq më keq të shohësh viktimat, të dashuruar në dhunuesit e shtetit dhe në dhunuesit e tyre!”, ka thënë ai.
Teksa foli për zhvillimet e fundit, Mustafa tha se gjendja në Kosovë nuk është normale, andaj dhe nuk mund të bëhet një parashikim për rezultatet zgjedhore.
“Është vështirë të parashikohet rezultati, sepse gjendja nuk është normale. Në një situatë jonormale zakonisht mungon rezultati i arsyeshëm. Mendoj se duhet të fillojë të mbizotërojë arsyeja për të shpresuar dhe besuar në rezultate”, u shpreh Mustafa.
Megjithatë, Mustafa u bën thirrje partive të tjera politike që mos të imitojnë VV’në, dhe të hyjnë në zgjedhje për fitore e jo, sic thotë ai, për të qëndruar në opozitë.
“Është shumë mundshme dhe tepër e nevojshme që partitë e ish opozitës ta bëjnë qeverinë dhe ato mund ta bëjnë këtë. Por, për ta bërë duhet të pushojnë e mos ta kopjojnë apo imitojnë, asnjëra prej tyre, VV-në. Të jenë të gatshme të marrin vendime që kan rrisk politik dhe ta marrin përgjegjësinë para qytetarëve. Të vetëdijësohen se në zgjedhje hyhet për të fituar dhe për të qeverisë e jo për të qëndruar në opozitë”, ka thënë ai për Periskopin.
Presidentja Vjosa Osmani do të organizojë takim me mërgimtarët dy ditë para zgjedhjeve, më 26 dhjetor. Në ftesë theksohet se ky është një takim tradicional, por nga kërkimet që Periskopi ka bërë, nuk rezulton që Osmani të ketë pasur një tubim të tillë në dhjetor të viteve më herët.
E për këtë, Periskopi ka pyetur Mustafën, që dikur ishin krah të njëri tjetrit.
Ai thotë se takimet e tilla janë të mirëseardhura, por në kohën e duhur, e jo pikërisht para zgjedhjeve.
Ai ngrit dyshime se çfarë kërkesash do të ketë Osmani karshi mërgimtarëve.
“Takimet me diasporën janë të mira, por në kohë dhe rrethana të arsyeshme. Jo në kohë fushate. Shtrohet pyetja: Çfarë do të kërkojë dhe çfarë do tu thotë Vjosa bashkatdhetarëve tanë një ditë para votimit; pse mos ti ftojë një ditë pas votimit?!”, ka thënë ai për Periskopi.
Mustafa deklaron se Osmani nuk po e mban anën e Kushtetutës.
“Vjosa Osmani nuk po e mbanë anën e Kushtetutës që të jetë institucion që promovon unitetin e popullit.”
Mustafa ka thënë se punën e Vjosa Osmanit si presidente mund ta vlerësojë Albin Kurti.
“Performancën e Vjosës mund ta vlerësojë më së miri Albin Kurti, në rolin e punëdhënësit”, ka deklaruar ai.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është pyetur nga Periskopi për vizionin e partisë që dikur ishte në krye.
Ai ka kritika për slogain e tyre.
Kjo, sipas tij me “Shpresën” që LDK’ja po e përdor në këto zgjedhje, Kurti e Osmani është promovuar në vitin 2021.
“Së pari mendoj se sllogani për shpresën nuk i takon LDK-së. Sepse pushteti i Kurtit së bashku me Vjosën është konsideruar dhe është promovuar si qeveri e shpresës në vitin 2021. Dhe, ka përfundur nga shpresa në dështim dhe zhgënjim, me sanksione ndërkombëtare dhe me emigrim masiv të qytetarëve”, ka deklaruar ai.
E për Mustafën, opozitarizmin, pushtetit ia ka bërë Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti.
Por që, sipas tij, ka edhe prej atyre deputetëve që kanë mbështetur ligjet e VV’së kundërkushtetuese.
“E dyta, ka pasur opozitarizëm i cili në LDK ka qenë kryesisht individual, ku janë veçuar sidomos Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti me artikulim të qartë dhe tejet argumentues . LDK dhe ish partitë opozitare kanë dërguar shumë ligje në Gjykatën Kushtetuese, të cilat janë shpallur jokushtetuese. Dhe, “për të mos ua humbur meritat”, disa deputet, që dihen me emër, kanë përkrahur edhe ligje kundërkushtetuese të propozuara nga VV, për çfarë do të shprehem në një rast tjetër”, ka thënë ai.












