Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti se gjatë katër viteve të fundit nuk kanë folur për problemet reale të vendit, por vetëm për konfliktin me Serbinë.
Në një prononcim për GazetaBlic, Mustafa tha se diskursi publik i Osmanit dhe Kurtit është i fokusuar mbi luftën dhe tensionet, dhe jo mbi zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë apo mirëqenien e qytetarëve.
Ai paralajmëroi gjithashtu se veprimet e qeverisë që bëhen pa koordinim me NATO-n dhe faktorët ndërkombëtarë mund të sjellin pasoja serioze dhe konflikte të reja në rajon.
“Osmani dhe Kurti mbi katër vite çdo javë kanë folur për luftë me Serbinë. Ky ka qenë diskursi i saj dhe i Kurtit. Nuk ka qenë ekonomia, mirëqenia, zhvillimi i qëndrueshëm, arsimi i mirë, shëndetësia. Veprimet kokë në vete, të pakoordinuara me NATO-n dhe me me faktorët relevand ndërkombëtarë sugurisht se mund të qojnë dhe të sjellin konflikte. Ndryshe, ku qëndron arsyeja e prezencës ndërkombëtare ushtarake në Kosovë”, tha ai.
Ndër të tjera Mustafa, kërkoi transparencë nga presidentja Osmani në lidhje me kërcënimet e supozuara dhe rolin e saj në parandalimin e tyre.“Në cilësinë e presidentes, Vjosa duhet tu trgojë qytetarëve se çfarë konflikti u parandalua kohëve të fundit. Ne s’mund ta pyesim Presidentin Trump, por po presidenten e Kosovës dhe çfarë do të ndërmerr ajo që të parandalohen rreziqet në të ardhmen”, përfundoi ai për GazetaBlic.