Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka ironizuar duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje mund të inspirohet nga Shqipëria për Ministre Diellën, e cila në fakt është një robot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, për ta zgjidhur problemin e pakicës serbe.
Me ironi, Maliqi ka thënë se në këtë formë mund të shpiket “Botoviqi”, përfaqësuesi serb i dizajnuar sipas qejfit të VV’së dhe se të njëjtin mund ta bëjnë edhe gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.
“Shqipëria e krijoi si ministre Diellën për me e përmirësu qeverisjen përmes inteligjencës artificiale. Këta tanët ka gjasa në këtë formë kanë me këqyrë me e zgjidhë problemin e pakicës serbe, duke e shpikur Botovićin, përfaqësuesin serb të dizajnuar sipas qejfit tonë. E bëjmë edhe gjykatës në kushtetuese, edhe ministër, edhe kryetar partie me 10 deputetë. Botovići psh. mund të programohet për me e çmontu Ahtisaarin, me u përkulë para Lidhjes së Prizenit edhe me dëshmu para faktorit ndërkombëtar se sa entuziast është për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Maliqi.
Ndryshe, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb ende nuk është zgjedhur, por pavarësisht kësaj Kryeparlamentari Dimal Basha e ka konsideruar Kuvendin si të konstituar. Lista Serbe është ankuar në Gjykatën Kushtetuese./Reporteri.net.