Irani njofton se 130 mjete ajrore pa pilot (dronë) janë rrëzuar në sulmet izraelite që nga 13 qershori, transmeton Anadolu.
Faqja e lajmeve “Entekhab” publikoi një deklaratë me shkrim nga Organizata Iraniane e Sistemeve të Mbrojtjes Ajrore mbi këtë temë.
“Që nga fillimi i sulmeve të regjimit sionist deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, më shumë se 130 mjete ajrore pa pilot (dronë) që i përkisnin armikut janë shkatërruar dhe rrëzuar në të gjithë vendin”, thuhet në deklaratë.
– Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë edhe nivelin e lartë komandues të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë humbën jetën në sulme.
Ministria iraniane e Shëndetësisë në një deklaratë më 21 qershor njoftoi se numri i civilëve të vrarë ka arritur në 430, ndërsa i të plagosurve në 3.500.
Më tej u transmetua se 24 persona janë vrarë dhe mbi 1.272 të tjerë janë plagosur në kundërsulmet e ushtrisë iraniane me raketa balistike ndaj Izraelit.
Shumë vende përfshirë Turqia, e dënuan sulmin e Izraelit.
The post Irani: Deri më tani janë rrëzuar 130 dronë izraelitë appeared first on Kosovapost.net.