IPK shqyrton ankesën për reagimin policor në QKN të Mitrovicës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar një ankesë dhe informacione dje në orët e mbrëmjes lidhur me reagimin policor në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) të votave në Mitrovicën e Jugut.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime paraprake hetimore për të verifikuar pretendimet se zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent.

“Veprimet janë ndërmarrë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së duke pasur parasysh edhe aspektin e pavarësisë operacionale të policisë. Bazuar në veprimet fillestare hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se nga zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në QKN nuk janë përfillur disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të PK-së të përgatitur për këtë proces zgjedhor”, thuhet në njoftim.

“Sidoqoftë, IPK do të ndërmarr edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në komunikatë.

KosovaPress raportoi se në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë të Jugut kanë arritur edhe hetuesit rajonalë, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit të votimit më 9 nëntor.

Dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se gjuha e vrazhdë politike që po promovojnë politikanët ka ngritur nivelin e polarizimit të shoqërisë. Ai ka bërë me dije se kjo gjuhë është bërë burim i dhunës që po rritet gjithandej. Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se duhet të ndalet ky fenomen. “Gjuha e vrazhdë politike që po promovojnë politikanët ka ngritur nivelin e polarizimit të shoqërisë dhe është bërë burim i dhunës, e cila po rritet gjithandej. Për ta ndalur këtë fenomen, duhet të kundërshtojmë me forcë gjuhën e ashpër politike që ndan shoqërinë dhe si pasojë, nxit dhunën fizike”, ka shkruar ai.