Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një rreshter policor të policisë kufitare.
Në njoftim, thuhet se IPK-ja ka parashtruar rekomandimin për suspendim pasi që ndaj rreshterit policor është iniciuar një hetim penal që do të zhvillohet në koordinim me Prokurorinë Themelore Gjilan lidhur me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
“Incidenti ku është përfshirë si i dyshuar zyrtari policor raportohet të ketë ndodhur në qytetin e Vitisë më 24.03.2025 rreth orës 21:00, pas një mosmarrëveshjeje të zyrtarit policor me një qytetar lidhur me një kontest pronësor”, njofton Inspektorati i Policisë transmeton Klankosova.tv
Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast.