Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Rahovec, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Sipas komunikatës, hetuesit e IPK-së kanë nisur veprime fillestare hetimore pas dyshimeve për përfshirjen e dy zyrtarëve në një rast që po trajtohet në Rahovec.
Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit mund të kenë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hetimet po zhvillohen nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të dyshuara të paligjshme.
Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim të përkohshëm është bërë për të shmangur çdo ndikim në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.