Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Drenas. Ata dyshohen se kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me rastin e vrasjes në Fushticë të Poshtme të Drenasit.
Lidhur me këtë vrasje, është arrestuar një i dyshuar dhe ai është dërguar në mbajtje.
Në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit,” thuhet në njoftim.
Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore, IPK njofton se me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë, është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast,” thuhet në fund të njoftimit të IPK-së.









