IPK jep 10 rekomandime për Policinë e Kosovës në trajtimin e rasteve të trafikimit me narkotikë

Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit në fushën e “vlerësimit të trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.

“Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: identifikimi i kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, vlerësimi i respektimit të rregullave/procedurave në hetimin dhe procedimin e rasteve në Prokurorinë e Shtetit, vlerësimi i trajtimit dhe ruajtjes së dëshmive/provave, si dhe vlerësimi i mbajtjes dhe mirëmbajtjes së evidencave dhe dosjeve”, njofton IPK.

Mes tjerash, ky institucion ka dhënë edhe rekomandime që kanë të bëjnë me vendosjen e mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të siguruar që hetuesit të mos kenë qasje në informacione të klasifikuara pa kaluar verifikimin e sigurisë, ushtrimit të kontrolleve për t’u siguruar që raportimi tek Prokurori i Shtetit mbi veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare të praktikohet përmes raporteve njoftuese.

“Rekomandime janë dhënë edhe për ushtrimin e kontrolleve për nxjerrjen e planeve të hetimit, zbatimin e plotë të secilës prej masave të urdhëruara, kompletimit të dosjeve me listat e evidencës së dëshmive/kërkesat dhe raportet e ekzaminimit, respektimit të zinxhirit të plotë komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurori të Shtetit, si dhe kthimin e informatave kthyese nga Njësia në fjalë mbi statusin e raporteve inteligjente të pranuara nga Zyra e Analizës dhe Statistikave”, njofton IPK.