IPK-ja arreston dhe suspendon një zyrtar policor në Gjilan, dyshohet për dhunë në familje

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Në një komunikatë të lëshuar për media, IPK thotë se kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Gjilan ka kryer veprën penale dhunë në familje përderisa  incidenti raportohet të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjilan, transmeton Klankosova.tv.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore kurse viktima në këtë rast është dërguar për tretman mjekësor.

Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të IPK-së.