Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar një përmbledhje të aktiviteve për vitin 2025, duke dhënë edhe disa shifra të rëndësishme.
Ata sivjet kanë pranuar dy mijë e 480 ankesa, kanë arrestuar 41 policë dhe kanë listuar veprat më të shpeshta penale që i kanë trajtuar dhe hetuar.
“IPK gjatë vitit 2025 (deri më 26 dhjetor) ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2480 ankesa. Prej tyre 1753 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 717 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK më dyshimin për veprimtari penale (pjesa tjetër janë përcjellë në institucione tjera dhe në Departamentin e Inspektimeve)”, thuhet në publikimin e IPK-së.
“Bazuar në trendët e pranimit të ankesave këtë vit IPK ka pranuar mbi 20% më shumë ankesa krahasuar me vitin e kaluar (2046 ankesa në vitin 2024) e që i referohet kryesisht disa faktorëve si: fuqizimit të besueshmërisë së qytetarëve në Inspektoratin Policor, transparencës së institucionit etj.”.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në kuadër të angazhimeve dhe fushëveprimit ligjor për fuqizimin e integritetit policor, për periudhën kohore janar – dhjetor (deri më 26 dhjetor) të vitit 2025 ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: ka arrestuar 47 të dyshuar (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë), ka dhënë 129 rekomandime për suspendim, ka dhënë 2 rekomandime për transfer, në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 110 Kallëzime Penale, 36 Raporte të Veçanta dhe 85 Raporte Informuese”
“Gjatë këtij viti 5 veprat penale më të shpeshta që janë trajtuar/hetuar nga IPK-ja janë:
– Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike
– Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
– Rrezikim i trafikut publik
– Lëndimi i lehtë trupor dhe
– Kanosje”.
Ata kanë njoftuar se të dhënat tjera shtesë dhe të detajshme do të publikohen në raportin vjetor të IPK-së për vitin 2025.













