Gjatë ditës së sotme në media u raportua se Inspektorati Policor i Kosovës ka intervistuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Sipas raportimit, Mehmeti u intervista për rastin e kapjes së 400 kg drogë në hyrje të Lipjanit që kishte ndodhur në maj të këtij viti. Por IPK, përmes një komunikate për media ka sqaruar se Drejtori i Policisë, është intervistuar për një rast tjetër, i cili nuk ndërlidhet me atë se çfarë është raportuar.
IPK thotë se Mehmeti u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, për rastin kur një zyrtar policor është dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
“IPK konfirmon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti është ftuar për intervistë bazuar në mandatin ligjor të IPK-së.
Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
(Lidhur me rastin e njëjtë IPK ka pasur edhe një komunikatë për medie më 20 shtator 2021 që do të gjeni si më poshtë).
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit IPK njofton se intervistimi i tij nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike të cilin rast është duke e hetuar vet Policia e Kosovës”, thuhet në reagimin e IPK-së.
IPK ka dërguar edhe komunikatën e datës 20 shtator, se për cilin rast bëhet fjalë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me gradën e nënkolonelit policor. Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë duke hetuar një rast i dyshuar është një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorinë e shtetit”.