IPK: Arrestohet punonjësi i Policisë, dyshohet se e ngacmoi një të mitur për rreth dy javë

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një zyrtar të stafit civil pa autorizime policore nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual” ndaj një të miture.

“IPK ishte njoftuar lidhur me dyshimet se punonjësi civil dyshohej se ishte përfshirë si i dyshuar në këtë rast dhe ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore në koordinim Prokurorinë Themelore Prizren. Bazuar në hetimin preliminar dyshohet se punonjësi tashmë i arrestuar, për një periudhë dy javore ka ushtruar ngacmim seksual ndaj viktimës (së mitur) të gjinisë femërore në afërsi të objektit shkollor kur viktima i ndjekë mësimet.”

Ai është dërguar në mbajtje.

“I dyshuari, me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore Prizren dërgohet në mbajtje për 48 orë përderisa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij. IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së standardeve të larta profesionale, respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe fuqizimit të llogaridhënies brenda Policisë së Kosovës.”