Simone Inzaghi kërkon hakmarrje kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë të mërkurën në mbrëmje, pasi nuk ka arritur t’i mposhtë “Rossonerët” në asnjë nga tre përballjet e mëparshme këtë sezon dhe ka shpjeguar se çfarë duhet të bëjnë “Nerazzurri” për të ‘hedhur’ një hap drejt finales që do të luhet në maj.
Interi dhe Milani do të përballen për herë të katërt në sezonin 2024-25 në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë në “San Siro” të mërkurën në mbrëmje.
Ndeshjet e kthimit do të luhen më 24 prill dhe fituesit eventualë do të përballen në finale me Empolin ose Bolognan.
“E dimë rëndësinë e ndeshjes së nesërme, është një gjysmëfinale e Kupës së Italisë kundër Milanit, është një derbi. Ka dëshirë për të zhvilluar një lojë të mirë, duke ditur që përballë do të kemi një kundërshtar cilësor, i cili këtë sezon ka krijuar shumë probleme, jo vetëm për ne,” tha Inzaghi gjatë konferencës së tij për shtyp të martën.
“E dimë që kemi hasur në vështirësi këtë vit, sidomos në përballjen e parë. Dy të tjerat ishin më të balancuara dhe u vendosën nga episodet gjatë lojës. Nesër do të jetë e katërta, pastaj do të kemi të pestën, normalisht kemi dy.”
Inzaghi dha gjithashtu një përditësim mbi situatën e dëmtimeve te “Nerazzurri”.
Lautaro Martinez dhe Mehdi Taremi janë jashtë ndeshjes së nesërme, duke lënë në dispozicion vetëm tre sulmues të ekipit të parë.
Trajneri konfirmoi se në ekip për të mërkurën do të përfshihet edhe një sulmues nga Primavera.
Alessandro Bastoni pritet të rikthehet, por përndryshe trajneri nuk pranoi të japë shumë detaje mbi formacionin e tij titullar.
“Nuk mund t’ju ndihmoj me formacionin. E kam zgjedhur portierin, por nuk ua kam thënë ende lojtarëve dhe preferoj t’ua komunikoj atyre të parëve. Asllani nuk do të jetë, Bastoni do të kthehet dhe do të vlerësojmë De Vrij. Taremi nuk do të jetë, jemi më pak a shumë si të dielën, me Bastonin brenda dhe Asllanin jashtë”, tha Inzaghi.
I pyetur se sa i rëndësishëm është Rafael Leao për kundërshtarët e tij, Inzaghi u përgjigj: “Është një lojtar i shkëlqyer, po përballemi me të prej vitesh. Ka shumë cilësi, por nuk mendoj se duhet të ndalemi vetëm te Leao, Milani ka shumë lojtarë të mëdhenj për t’i mbajtur nën vëzhgim në çdo moment. Ata mund të krijojnë gjithmonë probleme”, përfundoi ai.