Inzaghi: Në Milano na pret një finale para finales

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, e ka komentuar ndeshjen e mbrëmshme spektakolare me Barcelonën, e cila u mbyll baras, 3:3, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Trajneri italian ndihet i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij, ndërsa tash e ka mendjen tek ndeshja e kthimit, të cilën synon ta fitojë dhe ta sigurojë kështu kualifikimin në finalen e madhe të Championsit.

“Një ndeshje e madhe kundër, mendoj unë, skuadrës më të fortë në botë të momentit ose kundër asaj më ofanzives në botë. Djelmoshat ishin për duartrokitje, iu bëra komplimente. Në ndeshjen e kthimit do të jemi përpara tifozëve tanë dhe do të jetë një finale. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Inzaghi për “Sky Sport”, përcjell “Gazeta Express”.

Çka do t’i nevojitet Interit në lojën e kthimit?

“Duhet ta ndjekim këtë lojë, në të cilën kemi bërë mjaft mirë. Jemi paksa të mërzitur pasi na u anulua avantazhi i dyfishtë. Sidoqoftë, është e nevojshme të mendojmë se kë e kemi përpara. Ata e kanë një talent që lind çdo 50 vjet”, shtoi Inzaghi. /Gazeta Express