Partia “Guxo” ka dalë me një reagim lidhur me intervistimin e Kryetarit të saj, njëherit Ministër në detyrë i Bujqësisë, Faton Pecit, si i dyshuar nga Prokuroria Speciale lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Nga kjo parti janë lëshuar në akuza ndaj Prokurorisë Speciale dhe prokurorit të rastit, Admir Shalës, duke thënë se janë bërë pjesë “e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2”.
“E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren”, thuhet në reagim.
Tutje, “Guxo” është lëshuar në lavdata për Pecin, duke thënë se është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, theksohet në reagim.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar sot për rreth katër orë nga Prokuroria Speciale, si i dyshuar lidhur me aferën e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Pas intervistimit, Peci është liruar në procedurë të rregullt. E ndonëse janë bërë rreth tri orë që prej kur është liruar, Peci ende s’e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.
Intervistimi i tij u bë pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë