Intervistimi i kryeprokurorit Kelmendi, Musliu: Është përgjegjësi e Vjosa Osmanit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është aty ku është falë presidentes Osmani.

Musliu ka akuzuar Osmanin për refuzim të dekretimin të Blerim Isufajt.

“…Zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një person me të kaluar të diskutueshme në raport me Reçakun” shkroi Musliu, duke thënë se Kelmendi sot do të dëshmojë në hetimet për masakrën e Reçakut, për shkak të rolit që kishte si asistent i gjyqtares serbe, Danica Marinković.

“Pyetja është: ku janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti? Si ka mundësi që asnjëri nuk mban përgjegjësi publike për vendimet që kanë sjellë këtë situatë? Heshtja e tyre është bashkëfajësi morale” u shpreh Musliu.

Ky është postimi i plotë i saj:

Çfarë po ndodh sot me drejtësinë në Kosovë është turp, dhe ky turp ka emër e mbiemër. Besim Kelmendi, që prej tre vitesh mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron aty falë një vendimi të pastër politik të Presidentes Vjosa Osmani. Ajo refuzoi të dekretonte Blerim Isufajn, një ish ushtar i UÇK-së, dhe zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një person me të kaluar të diskutueshme në raport me Reçakun.

Ky vendim është përgjegjësi e saj politike dhe morale.

Sot, Kelmendi paraqitet si dëshmitar në hetimet për masakrën e Reçakut, për shkak të rolit të tij si asistent i gjyqtares serbe Danica Marinković më 16 janar 1999.

Fakti që njeriu që në atë kohë gjendej në anën e strukturave serbe sot udhëheq Prokurorinë e Shtetit është goditje në fytyrë për viktimat, për familjarët e tyre , dhe për gjithë shoqërinë tonë. Është e paimagjinueshme, e papranueshme dhe e pafalshme.

Për ironi, para tre vitesh, kur u ngritën publikisht këto dyshime, Kelmendi kërcënoi me padi, në vend se të sqaronte të vërtetën. Sot realiteti po i shpërthen në fytyrë. Sot ai duhet të japë përgjigje.

Pyetja është: ku janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti? Si ka mundësi që asnjëri nuk mban përgjegjësi publike për vendimet që kanë sjellë këtë situatë? Heshtja e tyre është bashkëfajësi morale.

Pas asaj që ka dalë sot në dritë, është e pakuptimtë madje absurde që Besim Kelmendi të vazhdojë të qëndrojë në krye të Prokurorisë.

Ai duhet të japë dorëheqje menjëherë. Nëse nuk e bën, atëherë Këshilli Prokurorial ka vetëm dy mundësi: ose ta shkarkojë, ose të pranojë se nuk ka vullnet të pastrojë sistemin nga figura të kontestuara.

Nëse as kjo nuk ndodh, mesazhi për qytetarët është i qartë: në krye të institucionit që duhet të luftojë krimin dhe të mbrojë drejtësinë po lihet një njeri me hije të rëndë mbi të kaluarën e tij. Dhe kjo është poshtëruese për shtetin tonë.