Interi ngulmon për Perisic, por PSV “ngre murin”. Eliminimi nga Champions-i mund t’i zhbllokojë negociatat

Në merkato me kosto të ulët, Interi vazhdon kërkimin për një përforcim në krahun e djathtë. Pas tentativës për ta rikthyer João Cancelo në Milano, zikaltërit po provojnë tani me një tjetër ish-lojtar të madh, Ivan Perisic. Këtë herë skenari mund të jetë ndryshe. Drejtuesit e Interit kanë marrë “ok”-in nga kroati, i cili do të dëshironte shumë një “vallëzim të fundit” në “San Siro”.

Megjithatë mungon ende drita jeshile nga PSV, që për momentin “ka ngritur murin”. Edhe pse holandezët kanë hedhur një hipotekë të fortë mbi “Eredivisie” (+16 pikë ndaj Feyenoord-it të dytë), ata nuk duan të privohen nga një prej liderëve të skuadrës në garën për një vend mes 24-shes së Champions League.

Aktualisht PSV renditet në vendin e 22-të dhe të mërkurën përballet me Bayern Munich. Nëse bavarezët i eliminojnë holandezët, PSV mund ta rishikojë qëndrimin dhe të ulet në tryezë me Interin për ta liruar Perisic, raporton “Gazzetta dello Sport”.

The post Interi ngulmon për Perisic, por PSV “ngre murin”. Eliminimi nga Champions-i mund t’i zhbllokojë negociatat appeared first on Telesport.