Merkatoja e Lazios rrotullohet rreth një nevoje; çlirimi i likuiditetit. Shitja e Nicolò Rovella, shkruan “Il Messaggero”, megjithëse e dhimbshme, mund të përfaqësojë hapin e pare në këtë drejtim. Interi, pasi ka planifikuar shitjen e Calhanoglu, ka sonduar tashmë terrenin përmes agjentëve të mesfushorit, duke paraqitur një ofertë jozyrtare prej 40 milionë eurosh. Megjithatë, Lotito ka qenë i qartë: “Lojtari ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh, përndryshe nuk e shes. Më të mirët qëndrojnë”.
Presidenti bardhekaltër duket i vendosur të mos lëvizë nga pozicioni i tij, sidomos në një moment kur Lazio duhet të përballet me tri kufizime financiare; likuiditeti, borxhi dhe kostoja e punës; që për momentin bllokojnë hyrjet e reja në skuadër. Nëse marrëveshja për Rovella realizohet, dhe me largimin tashmë të afërt të Tchaouna drejt Burnley për rreth 14 milionë euro, klubi bardhekaltër mund të kthehet aktiv në merkato, duke synuar një mbrojtës krahu dhe një mesfushor të avancuar, siç ka kërkuar Sarri.
Frattesi mbetet ëndrra, por nuk parashikohet asnjë shkëmbim. Interi mund të propozojë eventualisht Fabbian, por në negociata të ndara. Ndërkohë, agjenti Riso po punon për ta bindur Rovella, i cili megjithatë më parë ka shprehur dashuri të përjetshme për Lazion. Një tjetër lojtar i rëndësishëm është Castellanos. Pavarësisht disa ofertave të refuzuara, një shumë rreth 35-40 milionë euro mund t’i bëjë drejtuesit të lëkunden. Ndërkohë, Sarri po vlerëson alternativa për sulmin, me emra që variojnë nga Raspadori te Pio Esposito, por gjithçka do të varet nga shitjet (daljet).
The post Interi, 40 milionë për pasuesin e Calhanoglu. Lotito “ngre murin”: Paguani klauzolën, përndryshe nuk e shes appeared first on Telesport.