Në merkato kurrë mos thuaj kurrë, por kjo fundjavë duket si momenti vendimtar në tratativat mes Ademola Lookman, Interit dhe Atalantës. Në fakt, gjithçka mund të vendoset që sot, të premten e 1 gushtit, pasi të shtunat dhe të dielat zakonisht i ngadalësojnë negociatat, edhe në verë.
Oferta zyrtare e Interit prej 42 milionë eurosh, plus bonuse, për të arritur totalin prej 45 milionësh është në pritje të një përgjigjeje nga Bergamo. Është rilancim i ofertës së parë jozyrtare prej 40 milionësh, por Atalanta vijon të kërkojë 50 milionë euro.
Nga ana e tij, Lookman ka refuzuar oferta të tjera dhe dëshiron të respektohet premtimi për shitje, që i është bërë disa muaj më parë, për të kaluar tek Interi. Megjithatë, pas largimit të Retegui, klubi bergamask kërkon garanci që, nëse duhet të lejojë largimin e një tjetër lojtari kyç, ta bëjë sipas kushteve të veta.
Asnjë skenar nuk përjashtohet: Mund të vijë miratimi për shitjen, mund të ketë një refuzim të prerë, mund të ketë heshtje strategjike, që synon një tjetër ngritje të ofertës, diçka që Oaktree nuk është e gatshme ta bëjë, të paktën sipas zërave që qarkullojnë.
Nëse Atalanta bën një hap pas në kërkesat e saj (pas hapit përpara të Interit), atëherë Marotta dhe Ausilio mund të modifikojnë ofertën, duke rritur pjesën fikse, ose duke shtuar ndonjë bonus shtesë.
Zëvendësimi i mundshëm i Lookman
Në Bergamo nuk ka nxitim për ta shitur, por gjithashtu nuk ka kuptim të mbahet një lojtar që nuk dëshiron të qëndrojë. Kjo u pa vjet edhe me Koopmeiners. Prandaj, kanë filluar të qarkullojnë emrat e pasardhësve të mundshëm si Federico Chiesa dhe Emran Soglo Rowe i Marsejës.
Interi, nga ana tjetër, pret në heshtje, me Lookman si zgjedhjen numër një për repartin ofensiv. Megjithatë, si gjithmonë, alternativat ekzistojnë, profile që e njohin Serie A, ose emra si Loïs Openda apo Christopher Nkunku, nëse pista “Lookman” dështon.
The post Inter-Lookman, orë vendimtare për negiciatat. Oferta është përmirësuar, pritet përgjigjja e Atalantës appeared first on Telesport.