“Derby della Madonnina”, i pari për këtë sezon është fituar nga Milan, me rezultatin e ngushtë 0-1. Në gjashtë përballjet e fundit mes dy klubeve, përfshirë edhe takimin e sotëm, në të gjitha kompeticionet, Milan ka fituar 4 herë dhe dy herë të tjera derbi është mbyllur në barazim.
Zikaltrit e nisin vrullshëm takimin, rasti i parë vjen që në minutën e 4-të. Dimarco kroson, Thuram godet me kokë, por gjuajtja e tij ndalet në mënyrë spektakolare nga Mike Maignan.
Në minutën e 15-të, Peter Sucic provon të gjejë rrjetën, por goditja e kroatit përfundon jashtë kuadratit. Rasti më i rrezikshëm për zikaltrit do të vinte në minutën e 27-të, Calhanogolu kroson nga këndi, Acerbi godet me kokë dhe topi përplaset në shtyllë.
Në minutën e 37-të, Inter i afrohet sërish golit. Pas një kombinimi të bukur Thuram-Lautaro, sulmuesi argjentinas godet me të jashtmen, por Mike Maignan tregohet fantastik dhe shpëton kuqezinjtë, duke e shtyrë topin në shtyllën e jashtme.
Milan pati dy raste të mira me Saelemaekers dhe Pulisic në minutat 41′ dhe 43′, por tentativat e tyre përfunduan jashtë kuadratit. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
Milan e ka nisur mjaft mirë pjesën e dytë në derbin ndaj Interit, duke gjetur avantazhin me Christian Pulisic në minutën e 54-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të kuqezinjve, goditja e parë e Saelemaekers ndalet nga Yann Sommer, por Pulisic ndoqi mirë aksionin dhe dërgoi topin në rrjetë.
Në minutën e 59-të, Bastoni provojë të gjejë rrjetën, por goditja e tij përfundon mbi traversë. Në minutën e 70-të, ka një kontakt në zonë mes Pavlovic dhe Thuram,, më saktë pretendohet për një shkelje me takë dhe pas ndërhyrjes së VAR dhe rishikimit në ekran, arbitri drejton gishtin nga pika e bardhë e penalltisë. Godet i zakonshmi Calhanogolu, pret Mike Maignan.
Rezultati final, 0-1 për Milanin. Pas kësaj fitoreje, Milan ngjitet në vendin e dytë me 25 pikë, dy pikë më pak se Roma kryesuese. Inter renditet i katërti me 24 pikë.
The post Inter ka “harruar” të fitojë, Milan fiton derbin e parë të sezonit falë fantastikut Maignan (video) appeared first on Telesport.











