Inter i plotëson dëshirën Calhanoglu dhe gjen mesfushorin e ri falë Kupës së Botës për Klube

Rrugëtimi i Hakan Calhanoglu tek Inter ka mbërritur në fund. Edhe pse marrëdhënia mes klubit dhe lojtarit është përkeqësuar ndjeshëm në javën e fundit, Inter ka bërë një hap pas duke afruar gjithnjë e më shumë mesfushorin turk me Galatasaray-in.

Nëse fillimisht klubi zikaltër kërkonte 40 milionë euro për të lënë të lirë Calhanoglu, tani Inter mjaftohet edhe me 30 milionë euro, sipas asaj që raporton “Corriere dello Sport”.

Oferta e parë zyrtare e Galatasaray ishte rreth 20 milionë euro me gjithë bonuse, që u refuzua direkt nga klubi zikaltër. Ditët në vijim pritet të ketë sërish një takim mes palëve ku me shumë mundësi pritet të gjehet gjuha e përbashkët.

Në anën tjetër, drejtuesit e Interit kanë piketuar zëvendësuesin ideal të Calhanoglu. Bëhet fjalë për Richard Rios, mesfushorin e Palmeiras, i cili ka bërë një perfomancë fantastike gjatë Kupës së Botës për Klube.

Mesfushori 24-vjeçar është gati për të bërë hapin e madh në karrierë dhe të transferohet tek Inter. Vlera e tij në Transfermarkt është 16 milionë euro, por duke parë interesin e disa klubeve për lojtarin e saj, Palmeiras pritet të kërkojë një shifër mes 20-25 milionë eurosh. Ditët në vijim pritet të nisin negociatat mes palëve.

The post Inter i plotëson dëshirën Calhanoglu dhe gjen mesfushorin e ri falë Kupës së Botës për Klube appeared first on Telesport.