Inter i jep “një dorë” Milanit për të transferuar Ardon Jasharin

Ardon Jashari ka refuzuar të dalë në stërvitje te Club Brugge, pasi lojtari kërkon të transferohet te Milan. Oferta e fundit e kuqezinjve për mesfushorin shqiptar ishte 32.5 milionë euro plus bonuse, por klubi belg nuk lëviz nga shifra 40 milionë euro.

Por transferimin e Ardon Jasharit te Milan mund ta afrojë Inter. Sipas asaj që raporton “TuttoSport”, klubi zikaltër është në negociata me Club Brugge për të shitur Aleksandar Stankovic, një mesfushor i ri, që mbulon të njëjtin pozicion si Jashari.

Me transferimin e mundshëm të Stankovic, hapet rruga për transferimin e Jasharit te Milan. Edhe vetë Inter ka pasur interes për mesfushorin shqiptar, por klubi zikaltër është tërhequr duke ditur qëndrimin dhe vendimin e lojtarit për t’u transferuar te Milan.

Marrëveshja mes Inter dhe Club Brugge pritet të mbyllet brenda javës që vjen, në këtë datë po ashtu pritet të konfirmohet edhe transferimi i Ardon Jasharit te kuqezinjtë.

The post Inter i jep “një dorë” Milanit për të transferuar Ardon Jasharin appeared first on Telesport.